Në një postim të fundit në rrjetet sociale, opinionisti i njohur Enver Bytyçi ka reaguar ndaj kritikave dhe fyerjeve që po shfaqen gjithnjë e më shumë në debatin publik në Shqipëri dhe Kosovë. Bytyçi thekson rëndësinë e ruajtjes së etikës dhe respektit në diskutimet publike, duke paralajmëruar për pasojat e gjuhës denigruese dhe mungesës së kulturës në debatin intelektual dhe politik.
Ja shkrimi i plotë i Bytyçit:
Opinionisti Lirim Gashi lëshoi një kritikë-fyerje të rëndë për kolegun e tij në Kosovë, Nexhmedin Spahiun. Duke dashur të argumentojë pse Nexhmedini nuk kritikon Islamin radikal politik, e shpjegon këtë me formën e kokës që paska Nexhi!
O miqtë e mi kolegë e çafrëdo qofshi! Mos merrni modele si ky për të denigruar edhe armiqtë tuaj! Eshtë mungesë kulture, është mungesë qytetërimi, është gjithashtu dëshmi e injorancës, mëllefit dhe urrejtjes! Mos e bëni këtë.
Por kjo nuk është hera e parë që ndodh kësisoj. Para shumë vitesh isha në një studio TV-je dhe njëri prej analistëve tha për presidentin e kohës të Republikës së Shqipërisë se “E ka trurin sa kokrra e syrit të pulës”! Reagova menjëherë, duke vënë në dukje se në ekrane dëbatohet për idetë e vizionet, jo për masën e trurit të njerëzve, kushdo qofshin ata! I këtij tipi është edhe Lorenc Vangjeli i ekraneve shqiptare të TV-së!
Por është kryeministri i Shqipërisë që e përdor këtë standard më së shumti për kundërshtarët e tij, ose kur dëshiron t’u bjerë në sy shefave të tij ndërkombëtarë! E ka përdorur së paku në pesë raste të njohura. Nuk po e bëj analizën, por dua të them se çfarë infeksioni përhapin lidërët e politikës me shembullin e tyre! Mos kopjoni Edi Ramën, ju lutem! Nëse e bëni këtë, e përçani elitën intelektuale siç ai ka përçarë elitën politike në çdo hapësirë shqiptare në Ballkan!