Se Serbia po bën hapa drejt “Botës serbe”, këtë e dëshmoi edhe tubimi i mbajtur në Beograd me moton “Kuvendi gjithë-serb”.
Në këtë Kuvend pjesëmarrës përveç akterëve polotikë serbë, ishte edhe presidenti i Bonjës, Millorad Dodik, e po ashtu edhe pjesëtarët e Listës Serbe.
Ky Kuvend kishte për qëllim vërtetimin e unitetit serb.
Madje, në atë Kuvend është miratuar edhe një deklaratë. Aleksandar Vuçiq, për këtë deklaratë ka thënë se i referohet Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje – Hercegovinë, dhe nuk përmendet përçarja në atë shtet.
Megjithatë, deklarata duhet të miratohet nga Parlamenti i Serbisë dhe ai i Republikës Serpska brenda 90 ditëve.
Po ashtu, presidenti serb ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën edhe Rezolutën 1244.
“E kemi përmendur qartë edhe dialogun si rrugë thelbësore për zgjidhje të problemeve mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut”, ka thënë ai.
Përgjatë takimit është insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova dhe Metohija” – si referencë për shtetin e Kosovës.
Salihaj: Vetë termi Serbi e Madhe nënkupton ripushtime të pjesëve të territoreve të Kosovës, Bosnjës, Kroacisë dhe Malit të Zi
Adem Salihaj
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se vet termi Serbi e Madhe nënkupton ripushtimin e Kosovës, Bosnjës, Kroacisë dhe Malit të Zi.
“Vuçiqi ka kohë që po e propagandon të ashtuquajturën “botën serbe”, e cila është një fjalë tjetër për “hapësirën shpirtërore serbe”, ndërsa të dyja këto nënkuptojnë Serbinë e Madhe. Vetë termi Serbi e Madhe nënkupton ripushtime të pjesëve të territoreve të Kosovës, Bosnjës, Kroacisë dhe Malit të Zi”, thotë ai.
Derisa, për tubimi, Salihaj thotë se Serbia po llogaritë në ndryshime në frontin e luftës në Ukrainë, që pastaj të ndjek shembullin e njëjtë në Ballkan.
Madje, ai thotë se Serbia mund të provojë sërish konflikt në Ballkan dhe të shkaktojë gjakderdhje të re.
“Ky Kuvendi gjithserb” pretendon të jetë Kuvendi i Serbisë së Madhe. Disa e shikojnë këtë me ironi dhe me tallje, duke menduar se pretendimet e Serbisë janë të parealizueshme, vetvetiu edhe qesharake. Serbia po llogaritë në ndryshime në frontin e luftës në Ukrainë në favor të Rusisë, pastaj edhe kjo të ndjek shembullin e njëjtë në Ballkan. Mendoj se idetë dhe synimet e saj megalomane dhe të sëmura nuk do të realizohen më asnjëherë. Por, problemi qëndron diku tjetër. Serbia mund ta provokojë sërish një konflikt në Ballkan dhe të shkaktojë një gjakderdhje të re. Pavarësisht faktit se nuk do të mund t’i realizojë qëllimet e saj, pasoja do të shkaktojë gjithsesi. Nëse ndodhë kjo, shpresoj se, së paku këtë herë, do ta marrë dënimin e merituar. Shpresoj!”, përfundon ai.
Maraj: Kuvendi Serb në Beograd!?
Milazim Maraj
Lidhur me këtë, analisti Milazim Maraj thotë se këso mbledhjesh dhe kuvendësh bëheshin para lufte, e që më pastaj fatkeqësisht pasoi lufta e përgjakshme, derisa për pjesëmarrjen e Listës Serbe, ai thotë se ajo do të kërkojë shkëputje nga Kosova dhe bashkimin më Serbinë.
“Ka kohë që flitet për “Kuvendin Serb” në Beograd. Flitet për të ftuar të gjithë serbet në një kuvend. Në këtë kuvend do të marrin pjesë serbet nga republika serbe në B-H nga Mali i Zi dhe Maqedonia. Ky kuvend do të jetë një ngjarje që do të shënohet në historinë serbe si mbledhje për homogjenizimin serb. Ky kuvend do të krijoj lider të rinj serb nëpër vende të caktuara. Këso mbledhjesh dhe kuvendësh bëheshin para lufte. Pastaj ndodhi lufta shumë e përgjakshme. Tani emri i këtij kuvendi është “Të gjithë serbet në një Kuvend” që do të thotë të gjithë pastaj pason që është shumë parullë e vjetër “ku ka një serb është Serbi”. Kësaj politike për “Botën ruse fillimisht quhet” Serbia e madhe”. Në këtë Kuvendin të gjithë serb do të merr pjesë edhe “ Lista serbe” nga Kosova. Kjo listë që po pretendon të ketë autonominë brenda shtetit të Kosovës për mes të ASK, pas vendimeve të këtij kuvendi do të kërkojë shkëputje nga Kosova dhe bashkimin më Serbinë. Këto pjesë që Serbia i quan të saja dhe i ka okupua më shumë masakra në bashkëpunim me Perandorinë Osmane dhe më Rusinë ishin të gjitha toka të banuara më shqiptarë deri në vitin 1880. Para syve të Evropës dhe Botës ndodhën të gjitha këto masakra, shpërngulje dhe okupime”, shprehet ai.
Sipas tij, personat kriminel dhe ata në listë të zezë, e që duhej të përfundonin në burg ishin pjesëmarrës në të Kuvend.
Ai në këtë mes, kritikon ashpër edhe Edi Ramën, duke e akuzuar se po lobon për Serbinë.
“Në këtë Kuvend do të merr pjesë Aleksandër Vuçiq dhe Millarad Dodik , zyrtarë të lartë të shtetit të Serbisë, të Republikës serbe në Bosnjë dhe kriminel serb që do të duhej të përfundonin në burg të Hagës për krime ndaj njerëzimit në luftërat e fundit në Kosovë, Bosnje, Kroaci dhe Slloveni. Janë zyrtarë serb nga listat e zeza të SHBA për krime e korrupsione në këtë pjesë të BE. Ky kuvend po mbahet në Serbi në kohën kur zyrtarët shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri nuk kanë marrëdhënie mjaftueshëm të mira. Në kohën kur Edvin Rama Kryeministër lobon për Serbinë, puthën dhe përqafën me kriminelin Vuçiq, ndërsa në Maqedoni dhe Kosovën lindore shqiptarët përplasën për pushtet pa pasur ende shtet stabil. Serbia me shtetet islamike ka arritur gati një përplasje në mes të feve në të gjitha viset e banuara më shqiptarë. Ngritje normë të xhamive dhe islamizimit të shqiptarëve sipas paragrafëve të Referendumit antishqiptarë të hartuara nga AASHS, kishat serbe dhe AASHR për të arritur islamizimin dhe asimilimin e shqiptarëve, pastaj shpërnguljen e tyre dhe hapjen e hapësirave për botën ruse në tokat tona. Interesa ekonomike serb pretendojnë të zgjerohen nga Mitrovica në drejtim të Prishtinës. Spiunazhi serb i quajtur “operativci” është shtri gjerë e gjatë në Kosovë dhe Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë lindore. Kapja e dy tre spiunëve është vetëm maja e Eisbergut. Millosheviq dikur thoshte se i ka 700 të tillë Daciq, pretendon së numri i tyre tani është shumë më i madh. Në këtë kohë marrëdhëniet e Kosovës më SHBA nuk kanë qenë në nivel më të ulët që nga viti 1999”, deklaron ai më tej.
Në fund, Maraj, ai përmend edhe qeverinë e Kosovës, për të cilën thotë se artikulimi i veprimeve të Kurtit nuk janë adekuate edhe pse janë ligjore, duke shtuar se veprime të kundërshtuara nga SHBA dhe shtetet tjera mike përdorën në “kuvendin gjithëserb” si argumente që kanë gjetur përkrahje nga ndërkombëtarët.
“Qeveria e Kosovës në vend të planeve të mëdha në marrëveshje të plotë më SHBA dhe aleatët tjerë merret me ngacmime të vogla të cilat mund të zgjidhën në forma tjera të planifikuara mirë duke forcuar në vazhdimësi marrëdhëniet më SHBA dhe aleatet tjerë të Kosovës. Artikulimi i veprimeve të Qeverisë Kurti nuk janë adekuate edhe pse janë ligjore. Nuk janë të koordinuara më SHBA dhe shtetet tona mike. Kjo krijon momente politike të favorshme për Serbinë dhe interesat ruse Gadishullin Ilirik dhe në Evropë. Kosova dhe Shqipëria duhet të gjejnë interesin e vet në të njëjtin drejtim të interesave gjeopolitike të SHBA dhe aleatëve tonë. Lazdrimet dhe krekosjet në politikë i kushtojnë shtrenjtë shqiptarëve. Nuk jemi në pozitë që të kundërshtojmë SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe miqtë tjerë. Institucionet e sigurimi i Kosovës kanë gjithmonë punë por tani më shumë se çdo herë tjetër pas lufte.
Ngritja e tensionit ndërkombëtar për shpronësimin e tokave tregon çartë se nuk është gjetur rruga e mençur për të realizuar këtë veprim ligjor. Të gjitha këto veprime të kundërshtuara nga SHBA dhe shtetet tjera mike përdorën në “kuvendin gjithë serb” si argumente që kanë gjetur përkrahje nga ndërkombëtarët. Këto argumente dhe gënjeshtrat të tjera që do të plasohen në kuvendin e gënjeshtrave do të bëjnë një platformë të re të veprimit për “Serbinë e madhe” si veprim të detyrueshëm për gjeja ekzistencën serbe”. Pra në Serbi mbahet “Kuvendi gjithë serb”, kjo nuk do të kishte ndonjë efekt si kur në Kosovë kryeministri të arrinte të tubojë opozitën për të biseduar për zgjedhje. Ndërkaq që kemi një opozitë mjaftë zhgënjyese dhe jo premtuese për zgjedhje reale të problemeve që i dalin në skenë Kosovës. Kosova ka potencial intelektual që nuk angazhohet ose nuk e pranon luftën e ndytë të bërrylave. Pra tani për tani nuk ka një angazhim serioz dhe të mirëfilltë, të përshtatshëm për zgjedhjen e këtyre problemeve të vogla që po vazhdojnë të bëjnë tërësinë”, përfundon ai për “Bota sot”.