Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, tha se bombardimet e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, me qëllim ndaljen e dhunës në Kosovë, ishin “gjëja e duhur për t’u bërë”.
Blair i bëri komentet në Prishtinë, në përvjetorin e 25-të të përfundimit të kësaj fushate, që i dha fund luftës.
“Është një moment i emocionit të thellë që të jem sërish këtu. Unë kam besuar se ka qenë gjëja e duhur për t’u bërë atëherë dhe besoj edhe tani se ka qenë gjëja e duhur për t’u bërë”, tha Blair në një konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Më 1999, roli juaj si kryeministër britanik ishte vendimtar. Sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës, lirisë e demokracisë, edhe sot jeni hero i paqes”, tha Osmani duke iu drejtuar Blairit.
Blair do t’iu drejtohet me një fjalim edhe deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Si kryeministër, ai ishte njëri nga njerëzit kyçë që vuri në lëvizje intervenimin e NATO-s në Kosovë.
Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë dhe përfundoi më 10 qershor, 1999 – një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat e atëhershme jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.
Kjo është vizita e tretë e Blairit në Kosovë që nga viti 1999.