Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Konjufca: Lidhja e Prizrenit paraqet ditëlindjen moderne të kombit shqiptar

 
   

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, deputetë të Kuvendit, ministra të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të tjerë të qeverisjes qendrore dhe lokale, mori pjesë në shënimin e 146 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u mbajt në Prizren.

Në fjalën e tij para të pranishmëve kryetari Glauk Konjufca tha se 10 qershori i vitit 1878 është njëra prej dy datave më të rëndësishme për kombin shqiptar. Ai tha se kjo datë, së bashku me 28 nëntorin e vitit 1912 përbëjnë ngjarjet më të rëndësishme historike, të cilat e konturuan fizionominë politike, kulturore, kombëtare të shqiptarëve si një komb që mëtonte të jetonte i bashkuar, fillimisht brenda një njësie të veçantë brenda Perandorisë Osmane, e pastaj si shtet sovran dhe i pavarur.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit e paraqet aksionin e parë politik dhe ideologjik të shqiptarëve, ndoshta që nga koha e Kuvendit të Lezhës, e cila promovon interesin e shqiptarëve si një komb unik, i ndryshëm nga Perandoria Osmane dhe i ndryshëm edhe nga popujt fqinj”, tha kryetari Konjufca.

Kreu i Kuvendit shtoi se Lidhja synonte që në Kongresin që do të mbahej në Berlin në atë kohë, t’ia paraqiste fuqive të mëdha interesat e kombit shqiptar, tashmë i pjekur si një etnitet që nuk mund të përfaqësohej nga askush tjetër përpos vetvetes.

“Në këtë kontekst, 10 qershori i Lidhjes së Prizrenit paraqet ditëlindjen moderne të kombit shqiptar, sepse kërkesa e delegatëve të Lidhjes për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm, në këndvështrimin e teorive moderniste të kombformimit paraqet edhe themelimin e atdheut politik mbi të cilën synohet të ndërtohet shteti kombëtar”, tha kryetari Konjufca, duke shtuar se përmes aspektit të unifikimit territorial, përbërja e delegatëve të Lidhjes nga të gjitha vilajetet, krahinat dhe konfesionet, paraqiste edhe një dëshmi tjetër të vetëdijes kombëtare.

Sipas kryetarit Konjufca, Lidhja Shqiptare e Prizrenit zbatoi në praktikë thënien e rilindasit Pashko Vasa se “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”, kurse motoja e himnit kombëtar “të bashkuar për shpëtim” është ajo që më së miri i shkon Lidhjes së Prizrenit.

Duke kujtuar të gjithë patriotët e kohës, si Avdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Haxhi Zeka e shumë patriotë të tjerë, kryetari Konjufca tha se Lidhja e Prizrenit është themeli në të cilën u ndërtuan ngrehinat e pavarësisë kombëtare.

“Ajo nxiti, mobilizoi dhe i mbajti gjallë të gjitha kryengritjet shqiptare deri në realizimin e pavarësisë së Shqipërisë”, tha kryetari Glauk Konjufca.