Shoqata e të Plagosurve Civilë nga Minat ka protestuar sot para Qeverisë, duke kërkuar trajtim me proteza dhe rritje të pensioneve.
Jeton Kelmendi, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Plagosur Civil, thotë që Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë ka bërë diskriminim ndaj tyre.
Kelmendi: Institucionet po na diskriminojnë
“Këtu jemi sot për të treguar pakënaqësitë tona që Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë ka bërë kundër invalidëve civil të luftës, ku e ka bërë një diskriminim ekstrem të madh ku invalidët e luftës i ka përkrah 100 për qind, ndërsa neve na përkrah me një shumë pothuajse solide, ndërsa dallimi i protezës së invalidit civil të luftës apo si invalid i luftës nevojat janë të njëjta si proteza si një invalid i luftës edhe një invalid civil. Ai ka nevojë për protezë, ne kemi nevojë për proteza, proteza nën gjunjë pothuajse është e përafërt se sa kushton një kosto ndërsa proteza mbi gjunjë kushton rreth 40 mijë euro, ndërsa për neve janë caktuar rreth 5.700 euro, ndërsa shumë tjetër duhet ta mbulojnë vetë anëtarët”, tha ai.
Kelmendi ka bërë të ditur se kanë 100 anëtarë të shoqatës me proteza gjuri, të cilat duhet ndërruar pasi janë duke i përdorur tash e njëzet vjet dhe se ata nuk kanë mundësi financiare, teksa ka përmendur se marrin pensione 120-152 euro, që nuk mjaftojnë për trajtim.