Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Këta janë policët e suspenduar për rastin në Drenas

 
   

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin nga detyra për tre zyrtarë policorë të cilët dyshohen për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

Deri te rekomandimi për suspendimin e tre policëve ka ardhur pasi dyshohet se ata kanë rrahur një 15-vjeçar në Palestrën e Sporteve në Drenas.

Gazeta merr vesh se dy nga policët e suspenduar janë: Burim Halilaj dhe Miftar Qorri.

Në lidhje me ngjarjen ka folur Bujar Gjoka, babai i 15-vjeçarit, i cili tha se djali i tij është rrahur brutalisht nga policia.

“Unë kam qenë për përvjetor të axhës në atë kohë. Policia e kanë marrë djalin tim dhe e kanë rrahur brutalisht. I kemi edhe incizimet. Ia kanë zënë frymën dhe e kanë rrahë. Një fëmijë 15 vjeçar është tmerr që të rrahet nga një polic i Kosovës, është e tmerrshme”, tha Gjoka.

Më tej, ai tha se ka shkuar në polici që të marrë informata në lidhje me arrestimin dhe rrahjen e djalit.

“Kam shku dhe kam pyetur se pse më është rrahë djali, më janë përgjigjur ‘ai e dinë’. Polici më ka thënë se ‘ndoshta e mbysim krejt’”, tha Gjoka..

Gjoka tha se rastin e ka lajmëruar në Inspektoratin Policor të Kosovës, por ankesa pati edhe për ta, pasi tha se “janë munduar ta mbulojnë njëri-tjetrin”.

“Kur kanë qenë IPK-ja, janë mundur ta mbulojnë njëri-tjetrin. Djali është liruar dje dhe nuk ka fjetur tash e 24 orë”, tha ai.