Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Rrëfimi i babait për vajzën 10-vjeçare të vrarë në gjumë nga forcat serbe

 
   

“Shyqyr u çliruam dhe do të shkojmë në shkollë”, ishin fjalët e Besmirës e cila u vra nga forcat serbe një ditë para 12 qershorit të vitit 1999. 10-vjeçarja e cila nuk gëzoi lirinë, atë ditë po përjetonte gëzimin e madh se do të kthehej në shtëpi, një vit pasi po qëndronin me familjen e saj në tendat e improvizuara në “Lugun e Madh” të Drenasit.

Në lapidarin e oborrit të shkollës “Rilindja” të fshatit Dobroshec të Drenasit, janë gdhendur emrat dhe fotografitë e Besmirës dhe dy fëmijëve të vrarë në Poklek të cilët kishin vijuar mësimin në të njëjtën shkollë.

Babai i Besmirës, Enver Hajdari rrëfen për mëngjesin e hershëm të 11 qershorit, ku mbeti e vrarë vajza e tij.

Hajdari: Serbët kur e panë humbjen që është bërë marrëveshja e Kumanovës, ata e shfrynë mllefin e vet

“Atë natë kur është bërë marrëveshja, më kujtohen fjalët e Besmirës që ia kishte thënë edhe nënës edhe familjarëve, sepse ju mungonte shkolla, ju mungonte loja, ju mungonte çdo gjë, se kishin kaluar një jetë të gjatë me gjithë tmerrin. Atë ditë që u bë marrëveshja e Kumanovës, moshatarët e Besmirës, por sidomos Besmira, ju gëzuan asaj nate dhe po i thotë familjes së saj, nënës së saj “Shyqyr o Zot që u çliruam dhe tash do të shkojmë në shkollë dhe do të kthehemi në shtëpitë tona”. Mundeni me marrë me mend parandjenjën e fëmijës çka përjeton dhe çka ndjen pas momentit të çlirimit të Kosovës. Edhe përpos kësaj, fëmijët u gëzuan dhe kërcenin përpjetë. Besmira ka qenë një vajzë sikur Zoti e përgatit për të shkuar në atë dynjah dhe fëmijët bartnin ujë për ata që ishin nëpër tenda, lexojshin, recitojshin. Edhe atë natë tragjike, Besmirës ky gëzim iu nda në gjysmë, iu ndal gëzimi, iu ndal vullneti që e kishte për mbijetesë, nuk e kishte pasur fatin ta gëzonte lirinë sepse forcat serbe ishin pozicionuar në gjithë atë pjesë të anës tonë, ai lug ishte i ngushtuar. Serbët kur e panë humbjen që është bërë Marrëveshja e Kumanovës, ata e shfrynë mllefin e vet”, tha ai.

Besmira, e cila atë kohë ishte 10-vjeçare, u vra në gjumë nga forcat serbe.

Hajdari: E kanë vrarë në gjumë

“Kanë ra atë natë edhe e kanë bërë gjumin në atë prokolicë por atë natë serbët e kanë shfryer mllefin e vet në popullatë dhe ka pasur fatin që në Besmirën kanë gjuajtur dhe e ka kapur një plumb në gjoks të zemrës. E kanë vrarë në gjumë, dikur rreth orës 04 e 10 të mëngjesit pa u zbardhur“, shton ai.

Babai i Besmirës tregon se e kishin varrosur në mal dhe pas dy javëve e kishin zhvarrosur në varrezat e fshatit.

25 vjet pas luftës, ai flet në klasën dhe vendin ku ulej në klasë Besmira, e cila po vijonte klasën e tretë të shkollës fillore “Rilindja” në Dobroshec të Drenasit.

Hajdari: Ka qenë nxënëse e shkëlqyeshme me të gjitha pesa

“Vajza ime që është vrarë para 25 vitesh, mu në këtë klasë dhe mu në këtë shkollë ka qenë nxënëse e klasës së tretë në shkollën fillore ‘Rilindja’ në Dobroshec. Sa i përket si nxënëse, ashtu siç më kanë thënë edhe arsimtarët edhe kujdestari i klasës së Besmirës, ka qenë nxënëse e shkëlqyeshme me të gjitha pesa, një nxënëse e sjellshme, bile po them që edhe pas luftës i kujtojmë ato fjalë që thoshte kujdestari i klasës thotë që ‘në momentin kur i bënte recitimet që ishin të dedikuara për periudhën e para luftës, demonstratat dhe njerëzit e burgosur dhe thoshte se në ato momente mu duhej të kthehem në drejtim të dërrasës të zezë dhe më pikshin lotët për shkak të emocioneve që na krijonte Besmira”, tregon ai.

Enveri, i cili ishte vet pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë se kur filloi lufta në fshatin e tyre ishin detyruar që t’i rezistonin terrorit serb dhe të zhvendosnin familjet e tyre në Lugun e Fatit për më shumë se një vit.

Hajdari: Për çdo ditë u dëgjojshin vrasje, për çdo ditë u dëgjojshin që kryenin masakra

“Në pjesën e lugut të madh ku kemi qenë të strehuar, kanë qenë diku mbi tetë-nëntë mijë persona edhe të gjitha trevave tjera. Kanë përjetuar një tmerr, pa bukë, pa ujë, në kushte të rënda, në tenda të improvizuara, mirëpo jetën u dashke që ta zhvillojmë. Ne kishim caktuar edhe një ekip për popullatën, ne ishim në vija të frontit. Në mëngjes i zinim pozicionet dhe shpesh luftonim me ta. Edhe fëmijët e kishin një jetë jo të lumtur, mirëpo u dashke të mbijetojmë, të jetojmë. E siguruam atë pjesë që të paktën të kishim ujë dhe bukë. Për çdo ditë u dëgjojshin vrasje, për çdo ditë u dëgjojshin që kryenin masakra. Nuk ishte e lehtë sidomos për fëmijët“, shton ai.

Pas vrasjes se Besmirës, “Lugu i Fatit” është emërtuar si “Lugu i Besës”.

Emrin e Besmirës tashmë është përtërirë dhe emrin po e gëzon mbesa e Enverit. Ajo ka shkruar edhe një poezi për hallën e saj.

Hajdari: Jam e vogël por krenare kur më quajnë Besmira

“Jam e vogël por krenare kur më quajnë Besmira, se kështu e kishte emrin halla ime, më e mira. Gjyshi thotë ka rënë në luftë dhe shpesh e kujtojmë thotë ka rënë për ju, për ne, lirinë ta gëzojmë e kur flasim bashkë me gjyshin në ballkonin një zog i bukur cicëron poshtë në gjelbërim“, tha ajo.

Babai i Besmirës, Enver Hajdari thotë se nuk ndjehen rehat dhe bën thirrje për drejtësi për gjithë fëmijët e vrarë ne luftë.