Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Njëri i akuzuar deklaron se e kishte parë tjetrin duke e vrarë kushëririn e tyre

 
   

I akuzuari Fadil Rexhepi gjatë dhënies së mbrojtjes të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, deklaroi se e kishte parë të akuzuarin Gëzim Rexhepi duke e vrarë tani të ndjerin Sh.R., të cilin e kishin kushëri. 

“Po e kam parë, distanca jem ka qenë 10 deri 15 metra, prej Sh.R (i ndjeri), pozita e Gëzimit ka qenë në rrugë”, tha i akuzuari Fadil Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për rastin në të cilin pas një përleshjeje më 26 tetor 2017 kishte humbur jetën Sh.R., akuzohen Gëzim, Muharrem, Fadil dhe Bedri Rexhepi.

Kur kishte shkuar në vendin e ngjarjes në ditën kritike, i akuzuari Fadil Rexhepi thotë se i akuzuari tjetër Gëzim Rexhepi e kishte shtënë me armë dhe e kishte goditur me dy plumba viktimën.

Ai tha se rastësisht kishte qëlluar në vendin e ngjarjes dhe se askush nuk e kishte telefonuar.

Kurse, të akuzuarit Muharrem dhe Bedri Rexhepi, pas konsultimeve me mbrojtësit e tyre, avokatët Isa Salihu dhe Marigona Berisha, shfrytëzuan të drejtën që të mbrohen në heshtje. Ata thanë se qëndrojnë pranë deklaratave të mëparshme të dhëna në Polici, Gjykatë dhe Prokurori.

Në anën tjetër, i akuzuari Gëzim pas konsultimeve me avokatin e tij Mentor Neziri, tha se qëndron vetëm pranë deklaratës së dhënë më 21 janar 2020, në gjykatë.

Kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri, njoftoi të akuzuarin se nëse ajo deklaratë është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, gjykata nuk ia jep vlerën provuese.

Në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave materiale të propozuara nga prokurori Armend Hamiti. Më pas, seanca u ndërpre ngase palët nuk ishin të gatshëm për të dhënë fjalën përfundimtare.

Më 2 tetor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim ndaj të akuzuarve Gëzim, Muharrem, Fadil, Bedri dhe Pajazit Rexhepi.

Por Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe e kishte kthyer rastin në rivendosje, pasi që sipas të njëjtëve aktgjykimi ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe kjo kishte ndikuar që gjendje faktike të vërtetohet në mënyrë të plotë.

Për të akuzuarin Pajazit Rexhepi, vepra penale kishte arritur parashkrimin absolut të ndjekjes penale, pasi ngarkohej për “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.

Ndryshe, më 22 maj 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzën sipas të cilës, të akuzuarit Muharrem dhe Fadil Rexhepi si dhe tashmë i ndjeri Sh.P, më 26 tetor 2017, kishin shkuar të armatosur tek shtëpia e të akuzuarve Gëzim, Bedri dhe Pajazit Rexhepi dhe pas një fjalosje lidhur me çështjen e prerjes së malit, kishin filluar të sulmojnë fizikisht të akuzuarin Bedri. I akuzuari Gëzim thuhet se kishte marë një pushkë automatike, me të cilën kishte shtënë në drejtim të të akuzuarve Muharrem dhe Fadil Rexhepi si dhe Sh.R., e ku me një plumb e kishte goditur këtë të fundit, duke i shkaktuar vdekjen.

Prokuroria të akuzuarin Gëzim Rexhepi e ngarkon me veprat penale “Vrasje”, “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, të akuzuarin Muharrem Rexhepi me “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, të akuzuarit Fadil dhe Bedri Rexhepi me “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa të akuzuarin Pajazit Rexhepi e ngarkonte me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.