Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rrahmani: Disa deputetë s’do të marrin pjesë më në votim për Kodin Civil

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Eman Rrahmani, ka deklaruar se disa deputetë që fillimisht e votuan projektligjin për Kodin Civil, nuk do të marrin pjesë më në votim nëse ky ligj sillet përsëri në Kuvend.

Ai ka shtuar se shumica e deputetëve, përfshirë ata nga LVV, AAK dhe grupi multi-etnik, votuan kundër tij.

“Unë e kuptoj ministren dhe qëndrimin e saj publik që e ka por tash e një vit kanë qenë edhe në subjektet tjera për të bërë shumicën që të kalojë ky ligj. Por duke parë sjelljen e shumicës së deputetëve dhe sa më afër zgjedhjeve ky ligj ka më pak vota në Kuvend për shkak se pastaj disa deputetë të cilët e bënë kalkulimin me vota unë besoj se do të kenë frikën që edhe ta votojnë. Mirëpo unë gjatë diskutimeve me koleg ka disa deputetët që kanë votuar për, në herën e parë në votim por që kanë treguar se nëse sillet prapë në Kuvend nuk do të marrin pjesë më në votim. Nuk besoj që duhet t’i përmendim emrat e tyre pasi ishte diskutim privat”, ka deklaruar ai në Debat Plus.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vazhdon të këmbëngulë për rëndësinë e këtij dokumenti për të drejtat e njeriut dhe është duke negociuar për të siguruar votat e nevojshme.

Rrahmani ka theksuar se ky është vullneti i shumicës së deputetëve dhe vendimi i ministres së Drejtësisë për të mos e proceduar më tutje është i duhur.

“Unë shumë herë e kam thënë se Kodi Civili nuk kthehet më gjatë këtij mandati në Kuvend për shkak se deputetët e e Kuvendit kanë vendosur që me shumicë votash të mos e kalojnë këtë kod civil dhe është i vetmi dokument që është votu në këtë legjislaturë më këtë shumicë votash kundër. Kështu që ai ka qenë vullneti i deputetëve shumicë, jo vetëm nga deputetë e LVV-së por edhe nga opozita, siç ka qenë deputetët nga AAK-ja, deputetët nga grupi multi-etnik. Besoj që është vendim i duhur i ministres së Drejtësisë për të mos e proceduar më tutje”, ka deklaruar Rrahmani.