Analisti politik, Arton Muhaxheri, ka thënë se mundësia e rrëzimit të Qeverisë Kurti, ka dështuar për shkak të mosdakordimit të partive opozitare. Ka thënë se shkuarja në zgjedhje nuk mund të bëhet pa u dakorduar partitë opozitare.
Mendimin e PDK-së që vendi të shkojë në zgjedhje përmes shpërbërjes së Kuvendit, Muhaxheri e sheh më të arsyeshme, për shkak se “asnjë kryeministër nuk e ka rrëzuar vetveten”.
Ai ka thënë se rrëzimi i Qeverisë Kurti është e pamundur, marrë parasysh mosdakordimin e opozitës.
“Opozita në Kosovë është totalisht e çakorduar. Domethënë kemi parë momente të caktuara ku një pjesë e opozitës kërkon diçka tjetër dhe një pjesë tjetër kërkon diçka tjetër dhe kjo natyrisht po reflekton edhe në rrëzimin e Qeverisë e cila pothuajse do të jetë e pamundur deri sa e kemi një opozitë totalisht të çakorduar. Kemi PDK e cila dëshiron ta shpërbej Kuvendin dhe ta qoj Kuvendin në zgjedhje por kemi edhe dy parti tjera që nuk e duan shpërbërjen e Kuvendit por duan dorëheqjen e kryeministrit për ta quar vendin në zgjedhje dhe asnjëra palë nuk po mund të arrij te caku që kanë rrëzimin e Qeverisë dhe pa një koordinim të opozitës nuk mund të arrihet kjo, sidomos kur kemi parasysh që kemi një qeveri jashtëzakonisht agresive dhe të cilat nuk është që pyet shumë opozitën e lërë më tendenca tyre për ta rrëzuar dhe kjo e ka sjellë Kosovën në situatë të status-quos ku ne jemi duke kërkuar zgjedhje dhe nuk po mundemi ta rrezojmë Qeverinë”, ka thënë Muhaxheri.
Muhaxheri ka thënë për Eo se shpërbërja e Kuvendit, është rruga më e drejtë për të shkuar në zgjedhje, siç ka kërkuar edhe Partia Demokratike e Kosovës.
“Realisht rruga më e drejtë është që ka kërkuar PDK-ja, shpërbërja e Kuvendit. Nëse ato duan zgjidhje e të thuash hajde po presim dorëheqjen e kryeministrit se asnjë kryeministër në Kosovë nuk ka dhënë dorëheqje dhe nuk besoj që do të jep as kryeministri Kurti që ka komoditetin më të madh se çdo kryeministër tjetër paraprak për shkak numrave që i ka, prandaj shpërbërja e Kuvendit është zgjedhja më e duhur për me dërgu vendin në zgjedhje por tashmë edhe kjo pjesë dështoi dhe duhet me prit ndoshta vjeshtën ose afatin e rregullt për t’i bërë zgjedhjet dhe ajo çka unë mendoj karshi kësaj qeverie agresive, as opozita nuk është duke bërë namin me veprimet që është duke i marrë”, u shpreh ai.