Ish-kryeministri i Kosovës, dhe ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa është përfshi në debatin që nisi Xhavit Haliti se kinse presidenti Rugova ka kërkuar azil në Gjermani.
Kjo deklaratë e Haliti sipas Mustafës nuk është e vërtetë.
Mustafa tregon se kush kishte kërkuar që Rugova së bashku me familjen e tij të qëndrojë në Gjermani.
“Unë kam qenë në Bon, si anëtar i qeverisë në ekzil, kur ka ardhur Rugova me familje të ngushtë nga Italia në maj të vitit 1999. Qeveria jonë ka qenë e interesuar që Rugova të qëndrojë aty për një kohë dhe të punojmë së bashku deri sa të kthehemi në Kosovë. Që qeveria e Kosovës (jo ajo gjermane) ti mbulojë shpenzimet e qëndrimit dhe të aktivitetit të tij. Askush nuk e ka menduar as përmendur azilin”, shkruan Mustafa në Facebook.
Sipas tij, pas disa ditësh Presidenti Rugova u kthye në Itali.
Postimi i plotë:
25 vjetorin e çlirimit të Kosovës disa e shfrytëzuan për ta sulmuar dhe denigruar figurën presidentit Ibrahim Rugova, njeriut i cili i vuri themelet e çlirimit dhe të pavarësisë. Për Rugovën nuk folën ata që do duhej të flisnin. Disa kanë vdekur, disa nuk u ftuan të flasin, disa nuk janë aty ku është mikrofoni e disa po bëjnë politika ditore me emrin dhe figurën e tij për interes të tyre.
Rugova nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, sepse atë e mbron dhe e madhëron vepra e tij. Nuk shkruhet historia duke e cilësuar Rugovën si paranojak, sepse paranojakët nuk krijojnë vepra kombëtare, siç i krijoi Rugova. Aq më pak nuk thuhet e vërteta nëse ia mvesh dikush, që nuk e ka dashur Rugovën asnjëherë, që ai ka kërkuar azil në Gjermani.
Unë kam qenë në Bon, si anëtar i qeverisë në ekzil, kur ka ardhur Rugova me familje të ngushtë nga Italia në maj të vitit 1999. Qeveria jonë ka qenë e interesuar që Rugova të qëndrojë aty për një kohë dhe të punojmë së bashku deri sa të kthehemi në Kosovë. Që qeveria e Kosovës (jo ajo gjermane) ti mbulojë shpenzimet e qëndrimit dhe të aktivitetit të tij. Askush nuk e ka menduar as përmendur azilin.
Së fundmi azil nuk kishim kërkuar asnjëri nga ne që qëndruam 9 vite në ekzil, (as dr. Bujar Bukoshi, as dr. Muhamet Bicaj, as Halit Muharemi, as unë). Pas disa ditësh Presidenti Rugova u kthye në Itali.
Qeveria dhe populli italian u treguan atëbotë mikpritës dhe më të kujdesshëm ndaj Rugovës. IM