Sot do të fillojë Samiti për paqe për Ukrainën, që do të mbahet në Burgenstok të Zvicrës.
Pjesëmarrëse do të jetë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore.
Samiti i nivelit të lartë, i cili do t’i mbledhë liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.
“Presidentja Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme. Përgjatë qëndrimit në Zvicër, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë botëror”, thuhet në njoftim.
Gati 90 vende dhe organizata do të marrin pjesë në samit, sipas presidentes së Zvicrës, Viola Amherd.