Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, lidhur me rekomandimin e mundshëm për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Stano ka theksuar se raporti për hapat që ka ndërmarrë Kosova për përmbushjen e detyrimeve i është deleguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, nga Këshilli i BE-së.
Ai ka shtuar se nuk është e nevojshme që dikush nga jashtë të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret e raportit.
“Kjo është një çështje institucionale mes Përfaqësuesit të Lartë dhe vendeve anëtare. Vendet anëtare janë ato që kanë kërkuar një raport dhe, natyrisht, është Përfaqësuesi i Lartë ai që do ta dërgojë raportin tek vendet anëtare. Ato do të jenë të parat që do të dinë se kur do të ndodhë dhe çfarë përmban raporti, dhe kjo ende nuk ka ndodhur”, ka theksuar Stano.
Sipas tij, raporti nga Borrell do të dërgohet fillimisht tek vendet anëtare, të cilat do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen e tij, para se të marrin vendimet e nevojshme.
“Kjo është diçka institucionale mes Përfaqësuesit të Lartë dhe vendeve anëtare. Kështu që nuk na duhet dikush nga jashtë që të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret. Do të bëhet në kohën e përshtatshëm për Përfaqësuesin e Lartë dhe vendet anëtare, që do të jenë të parat që do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen, para se të marrin vendimet e nevojshme. Dhe kur kjo do të ndodhë, atëherë do t’i kumtojmë rezultatet. Nuk ka hapësirë dhe arsye për spekulime publike nga akterë të ndryshëm”, ka deklaruar Stano.
Borrellit i ishte kërkuar një raport i tillë nga vendet anëtare në mënyrë që të vlerësohet nëse janë pjekur kushtet që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese.
Më 13 qershor, duke raportuar para Komisionit për Integrime Evropiane në Prishtinë, Bislimi kishte deklaruar se raporti i Borrellit ka qenë “i gatshëm prej prillit, por ka pasur disa hezitime” për dorëzimin e tij.
“Ka pasur hezitime të dërgohet [raporti] në komision, për shkak se, si duket, ka disa individë që kanë interes ta shtyjnë heqjen e masave ndaj Kosovës dhe si rezultat ta dëmtojnë Kosovën”, ka deklaruar ai.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur Kosova dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.