Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe rreth 50 të tjerë janë lënduar në Indi pasi një tren mallrash është përplasur me një tren pasagjerësh të hënën në Bengalin Perëndimor.
Tre nga të vdekurit raportohet të jenë staf i Kanchanjuga Express ndërsa të tjerët janë pasagjerë.
Preeti Goyal, zyrtare e Lartë e Qeverisë vizitoi të lënduarit të cilët po trajtohen në spital.
Ajo i siguroi familjarët e tyre se pacientët janë në duar të sigurta.
“45 persona janë pranuar në këtë spital, dy prej tyre janë në sallën e operacionit. Mjekët më të mirë po kujdesen për ta”, tha Preeti Goyal, zyrtare e qeverisë.
Sipas rezultateve të hetimeve të hershme thuhet se përplasja u shkaktua pasi drejtuesi i trenit të mallrave shpërfilli një sinjal të hekurudhës.
Kanchanjunga Express është një tren ditor që lidh Bengalin Perëndimor me qytetet e tjera në verilindje të Indisë.
Më shumë se 12 milionë njerëz udhëtojnë me 14,000 trena në të gjithë Indinë çdo ditë, duke bërë deri në 64,000 kilometra rrugë.
Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të përmirësuar sigurinë hekurudhore, disa qindra aksidente ndodhin çdo vit, shumica e të cilave si pasojë e gabimeve të shoferëve ose për shkak të pajisjeve të vjetruara të sinjalizimit nëpër hekurudha.
Vitin e kaluar, një aksident treni në Indinë lindore vrau mbi 280 njerëz në një nga aksidentet më vdekjeprurëse të vendit në dekada./AP/Tëvë 1