Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Ditëlindjet” me Ukshin Hotin, rrëfimi i mikut të pandashëm

 
   

Në shtëpinë e mikut të vjetër vinte shpesh.

E këtu, nuk mungoi as me rastin e ditëlindjes së tij të hënën.

Është ky Ismet Gashi nga Krusha e Madhe, bashkëveprimtar e mik i pandashëm i Ukshin Hotit.

E ditëlindjen e dy miqve të pandashëm, e ndante vetëm një ditë.

“Atëherë s’kemi mund me i festuar, as nuk i kemi këqyre këto gjëra, situata ka qenë asi soji”, thotë ai.

Ndonëse jo data e lindjes, Gashin e Hotin çdoherë i bënte bashkë çështja kombëtare.

86 vjeçari e kujton kohën kur brenda kësaj dhome në shtëpinë e Ukshin Hotit, mbajtën qindra takime.

E nga këtu, u nisën edhe për në tubimin popullor të 7 korrikut të vitit ’91 në Rahovec.

Bëhet fjalë për ditën kur Ukshin Hoti, doli haptazi me idenë e formimit të një force të armatosur në Kosovë.

“E kanë pas vra një ushtar, e shkuam në Ukshin. U bë tubim i madh shumë dhe ia dhanë fjalën edhe Ukshin Hotit. Doli edhe Ukshini për herë të parë ka folur që t’i formojmë forcat e armatosura sa më shpejtë”, tregon Gashi.

E krejt këtë situatë, Gashi thotë se Hoti e kaloi me shaka.

“Tha, a thashë najsen? I thashë kuku çka ke fol, qe tash nja 10-15 veta janë nisur për Rahovec. Tha pse? I thashë po ti the sa t’i formojmë forcat e armatosura, e ai tha (në shaka) kur del aty të merret goja. Ismet, ajo fjala ime që e fola atje, tha a kujton njëmend që me rrëshqiti goja? Po me qëllim e thashë, sepse ata kanë thënë që pa luftë nuk ju lëshojmë, shprehet shoku i Ukshin Hotit.

Ukshin Hoti, mbështeti edhe kërkesat e studentëve shqiptar të vitit 1981.

Për këtë arsye, arrestua dhe u dënua me 9 vite burg.

“Është kostumi që iu ka ble në ditën kur është liruar nga burgu, në vitin 1984-’85, me këtë kostum ka dalë nga burgu. Ndërsa xhemperi sic e shihni me shkrojnën V, ka qenë preferencë gjithmonë e axhës Ukshin, për shkak se ka veshur edhe këmisha”, tregon Etriti Hoti, nipi i Ukshinit.

Për shkak të aktivitetit politik, Ukshin Hoti u izolua në fshatin e tij të lindjes.

Nipi i Hotit, Etriti, e mban mend kohën kur shtëpinë e tij në Krushë të Madhe, e vizitonin veprimtarët me të shquar të çështjes kombëtare.

“Këtu gjendemi në dhomën e pritje, ka qenë këtu një kolltuk ku ka qëndruar Ukshini, pastaj këtu ka qenë një krevat tresh dhe një dysh këtu në dhomë për pritjen e mysafirëve dhe biblioteka dhe aty ka qenë televizori”, thotë ai.

E majin e vitit ’94, Ukshin Hoti u arrestua për herë të tretë nga forcat serbe dhe u dënua me 5 vjet burgim.

Dënimin e përfundoi çuditërisht në ditën e diel të 16 maj të vitit 1999, kur u lirua nga Burgu i Dubravës.

E që nga ajo ditë, nuk dihet gjë për fatin e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare.