Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​ATK u bën thirrje TAXI-ve për pajisje me sistem fiskal

 
   

Administrata Tatimore e Kosovës njofton të gjithë tatimpaguesit të cilët zhvillojnë aktivitet të taksive, se janë të obliguar që të pajisen me sistem fiskal të veçantë për TAXI.

“Administrata Tatimore e Kosovës tanimë ka certifikuar model të Sistemit Fiskal për sektorë të veçantë TAXI, kështu që personat të cilët zhvillojnë aktivitet të taksive tani mund të pajisen me Sistem Fiskal të veçantë për TAXI”, thuhet në njoftim.

ATK kërkon nga të gjithë tatimpaguesit të cilët ushtrojnë veprimtarinë TAXI, pra ofrojnë shërbime taksi për pasagjerë, që të fiskalizohen sa më parë me Sistem Fiskal të veçantë për TAXI, ashtu siç kërkohet me legjislacionin në fuqi, si dhe Kërkesat Specifike Teknike dhe Funksionale për Pajisjet Elektronike Fiskale/Sistemet Fiskale (PEF/SF).

“Për t’u fiskalizuar me sistem fiskal të veçantë për TAXI është e nevojshme që të kontaktohen Operatorët Ekonomik të cilët kanë të certifikuar modele të Sistemit Fiskal për sektorë të veçantë TAXI. Aktivitetet e ATK-së, ndër të tjera do të përqendrohen te tatimpaguesit, të cilët: Kërkohet të fiskalizohen me Sistem Fiskal të veçantë për TAXI, por që ende nuk janë fiskalizuar me këtë Sistemin Fiskal të veçantë; dhe janë të pajisur me sistemin fiskal të veçantë për TAXI, por nuk lëshojnë kuponë fiskal”, thuhet në komunikatë.

Listën e Operatorëve Ekonomik të cilët janë të autorizuar për furnizim, instalim dhe mirëmbajtje të PEF/SF, si dhe modelet e PEF/SF të certifikuara mund t’i gjeni: këtu

“Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju do të kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”, bën të ditur ATK.