Pavarësisht qëndrimit në detyrë të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak deri në janar të vitit 2025 dhe vizitës së tij dje në Kosovë, pritjet për progres në këtë proces janë të pakta. Sipas kryenegociatorit të Kosovës në dialog, Besnik Bislimi zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit nuk varet nga Kosova por nga destruktiviteti i Serbisë. Implementim të Marrëveshjes Bazë gjatë mandatit të Lajçak nuk presin as nga dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se nuk e dinë nëse do të ketë progres në dialog në muajt në vijim, por shtoi se situata tani do të jetë më e komplikuar për shkak të kushtëzimit për disbursimin e mjeteve nga Fondi i Rritjes të BE-së me konstruktivitetin e palëve në dialog.
Kjo siç tha Bislimi do të bëhet nga vlerësimi i Lajçak.
“Nuk e di. Kjo nuk është varur asnjëherë prej Kosovës, por nga destruktiviteti i Serbisë. Serbia në vazhdimësi e ka kundërshtuar zbatimin e marrëveshjes bazike duke pretenduar se nuk ka marrëveshje. Situata tash është pak më e komplikuar për arsye se si parakusht dhe për disbursimin e pjesës së parë nga Fondi i Rritjes që pritet të bëhen në korrik është një vlerësim i Lajçak për konstruktivitetin e palëve. Ky konstruktivitet do të varet nga në ç’masë palët e pranojnë planin e sekuencimit si bazë. Serbia do të ketë sfidë të thotë se unë e pranoj një plan të sekuencimit për një marrëveshje të cilën nuk e njoh dhe nuk ekziston. Serbia do të detyrohet të pranojë se ka një marrëveshje me Kosovën dhe duhet të zbatojë të njëjtën”, tha Bislimi.
Pesimiste për progres në dialog është deputetja e PDK-së, Blerta Deliu. Ajo thotë për KosovaPress se vendi ka shënuar regres në këtë proces dhe se tani s’po diskutohet fare njohja reciproke. Sipas saj, tani më shumë po diskutohet për autonomi në veri dhe kjo siç deklaron është dështim i qeverisë Kurti.
“Në zhvillimet që kemi pa nga kjo qeveri në dialog është që Kosova fatkeqësisht në këtë proces ka shënuar regres. Sot nuk diskutohet fare për njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy shteteve. Natyrisht i gjithë fokusi i qeverisë ka qenë që ne të humbim fondamentin që ka qenë, një njohje ndërkombëtarësisht e obligueshme për të dy shtetet. Sot flitet më shumë për autonomi për veriun dhe fundja është humbur komplet themeli i procesit të gjatë të dialogut”, thotë ajo.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, deklaron për KosovaPress se pavarësisht vazhdimit të mandatit të Lajçak si ndërmjetës në dialog zbatimi i marrëveshjes nga palët do të jetë i mangët.
Sipas saj, kryeministri Kurti e ka degraduar këtë proces, pasi konsideron se po diskutohen edhe çështje të brendshme të Kosovës.
“Nuk pres progres në çështjen e dialogut as nga ana e qeverisë dhe as nga Lajçak. Tash e tri vite kemi regres sa i përket dialogut. Ju e dini se në qeverisjen e ish kryeministrit Avdullah Hoti kemi diskutuar për njohje reciproke mes dy vendeve, ndërsa tani kemi një marrëveshje për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kemi degraduar në dialog, pasi tani po diskutohet edhe për çështje të brendshme të Kosovës”, thotë ajo.
Emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak dje qëndroi në Kosovë, ku u prit në takim nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Pas takimit Lajçak tha se përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell i ka kërkuar të qëndrojë në pozitë e emisarit deri në janar të vitit 2025.
Krahas kësaj, ai fokus i tij gjatë kësaj periudhe do të jetë zbatimi i marrëveshjes bazë të Brukselit dhe Ohrit.