Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, ka kundërshtuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili ka theksuar se liberalizimi i vizave nuk ka ulur mungesën e fuqisë punëtore.
Azemi ka deklaruar se Bisilimi ka në shkëputje totale nga punëtorët e sektorit privat, duke thënë se kjo e bën atë të shqetësuar.
Sipas tij, shumë kompani private për çdo ditë kanë mungesë të punëtorëve në Kosovë.
Azemi ka shprehur shqetësimin se për një kohë të shkurtër mund të mbyllen institucionet kryesore të shëndetësisë dhe arsimit, teksa shtoi se ka mungesë të fuqisë punëtore me një shifër marramendëse.
“Ndihem keq që kam një zëvendëskryeministër të tillë. Ndihem keq sepse ky ka një shkëputje totale me punëtorët e sektorit privat në veçanti. Kjo më bën të shqetësuar edhe më shumë. I shpjegoj atij se është marrë kjo çfarë po them, një zëvendëskryeministër që më udhëheqë dhe mua vërtetë të tregon se nuk dinë asgjë. Unë kam komunikim me shumë kompani private për çdo ditë kemi mungesë të punëtoreve të sektorit privat të Kosovës… Me plot përgjegjësi po e them unë frikësohem se organet vitale të shëndetësisë, të arsimit për një kohë të shkurtër mund të ndodhë se mund të kemi mbyllje. Kemi mungesë të fuqisë punëtore, jo një shifër të vogël, por marramendëse”, ka deklaruar Azemi në Tv Dukagjini.
Zëvendëskryeministri Bislimi, ka deklaruar se liberalizimi i vizave nuk ka çuar në një largim masiv të fuqisë punëtore nga vendi.
Ai ka theksuar se vetëm të moshuarit kanë shfrytëzuar këtë mundësi për të vizituar familjarët jashtë vendit, duke mos ndikuar negativisht në tregun e punës.