Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Moti i nxehtë, shtohet numri i pacientëve në QKMF – “Evitoni ekspozimin në diell, pini sa më shumë ujë”

“Ai saçi i nxehtësisë këtë javë do të jetë i stacionuar bash mbi rajonin tonë, kështu që atë të nxehtin më të madh kemi me pasë këtë javë”. Ky ishte paralajmërimi i meteorologut kosovar, Mendim Rugova, i cili derisa po e jepte në T7 motin për gjatë javës së parafundit të muajit qershor, parashikoi se temperaturat do arrijnë deri në 36 gradë Celsius.

Me rritjen e temperaturave dhe valën e nxehtësisë që po përshkon vendin tonë, shëndeti i qytetarëve konsiderohet të jetë në rrezik. E, sipas profesionistëve shëndetësorë, këtu më të rrezikuarit janë personat e moshuar, fëmijët dhe gratë shtatzëna.

Për të ndihmuar në parandalimin e efekteve negative të nxehtësisë, specialisti i Mjekësisë Familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Rushit Ismajli, ka ndarë disa këshilla të rëndësishme dhe masa parandaluese që çdo qytetar duhet të marrë për të mbrojtur veten dhe të dashurit e tyre gjatë ditëve të nxehta.

Dr.Ismajli, në një bisedë për gazetën online Reporteri.net, u ka rekomanduar qytetarëve, sidomos grupit të personave të ndjeshëm, që të evitojnë ekspozimin në diell nga ora 10:00 deri në orën 16:00, e po ashtu të konsumojnë sa më shumë ujë në mënyrë që të mos rrezikojnë dehidrimin.

Ai po ashtu bëri të ditur se si pasojë e temperaturave të larta, ka pasur shtim të numrit të pacientëve në QKMF, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, sipas një njoftimi në fillim të qershorit nga Sherbimi Evropian i monitorimit të Motit, çdomuaj i vitit të kaluar është llogaritur si më i ngrohti në krahasimet e përvitshme.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka ngritur alarmin për ‘ferrin nga klima’, teksa ka bërë thirrje për masa urgjente.

Mesatarja e temperaturave globale për periudhën 12-muajshe deri në muajin e këtij viti ishte 1.63 gradë më e lartë sesa mesatarja e niveleve para-industriale. Kështu periudha 12-mujore ishte më e nxehta qëkur kanë nisur matjet e temperaturave në vitin 1940. Në shumë qytete evropiane, temperaturat kanë arritur mbi 45 gradë celsius gjatë muajve të verës, korrikun dhe gushtin. Ndërkaq, krizë të madhe për ujë pati Barcelona që iu shterua në pikat më të ulëta rezervuari më i madh i ujit.