Në vitin 1991 ishte njëra ndër iniciatoret që Adem Demaçi të shpërblehet me çmimin Saharov, ndërsa 33 vjet më vonë po vendos lule tek shtatorja e tij.
Ish deputetja gjermane në Parlamentin Evropian nuk heziton ta shpreh simpatinë për Demaçin, nuk e fsheh dot gjuhën e trupit.
Në 25 vjetorin e çlirimit të Podujevës bashkë me zyrtar e figura të rëndësishme komunale eurodeputetja gjermane bëri nderime tek varrezat e dëshmorëve e tek figurat më të spikatura të UÇK-së, në krye me Zahir Pajazitin.
Vizita e saj nuk është e rastësishme, për kontributin për lirinë para e pas luftës, Podujeva e shpalli “Qytetare Nderi”.
Doris Pack foli edhe pas kësaj ceremonie, por para se t’i vijë radha të shfaq qëndrimet për sfidat me të cilat përballet vendi, folën i pari i Komunës dhe i pari në kohën e luftës.
“Ky moment përfaqëson triumfin e drejtësisë mbi padrejtësinë, dhe të lirisë mbi shtypjen. Në këtë ditë kujtojmë të gjithë ata që sakrifikuar jetën e tyre për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Shpejtim Bulliqi – Kryetar i Podujevës.
“Ne ju jemi mirënjohës të gjithë njerëzve në Llap dhe përtej Llapit që gjithçka çka patët e vut’ në shërbim të lirisë së vendin tuaj”, ka thënë tutje Rrustem Mustafa-Remi – Ish-Komandant i UÇK-së i zonës së Llapit.
Bashkë me parafolësit politikania gjermane pati rastin të flas për të kaluarën, por nuk hezitoi të flas as për sfidat e tanishme, për shembull për masat ndëshkuese të Bashkimit Europian.
“Jo, unë mendoj se ata nuk duhet të ju ndëshkojnë juve, Kosova nuk duhet të jetë e ndëshkuar sepse ajo nuk është fajtore. Ashtu siq e dini ju shumë mirë, fatkeqësisht ka sanksione fajësuese, dhe ju nuk e keni merituar këtë. Ju duhet të trajtoniheni si shtet i pavarur, që funskionin shumë mirë, në funksion të demokracisë”, ka deklaruar Pack.
Pack thotë se fakti se dy ndërmjetësuesit e dialogut vijnë nga shtete që nuk e njohin Kosovën, vë në pikëpyetje neutralitetin e tyre, derisa shpreh shpresën se kryediplomatin Josep Borell do ta zëvendësojë kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.
Në lidhje me Asociacionin, këshilla e ish-deputetes së parlamentit evropian, është që të mos shkohet tutje me të, pa njohjen nga Serbia.
“Ju mund ta bëni, por ky asociacion nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Mund të ketë për fushën e kulturës. për edukimin në gjuhën e tyre, por asnjë kompetencë ekzekutive. Përndryshe ju do të keni një shtet brenda shtetit, dhe do të keni Serbinë brenda dhe Serbia është atje e Kosova është këtu”, ka thënë pack.
Politikania gjermane, Doris Pack, përveç deputete e Bundestagut, ka qenë anëtare e Parlamentit Evropian ndërmjet viteve 1989 e deri në vitin 2014, ndërsa ka qenë e angazhuar dukshëm në zhvillimet në rajonin e Ballkanit, falë pozitave që ka pasur brenda Parlamentit.