Qindra pelegrinë kanë vdekur gjatë kryerjes së haxhillëkut këtë vit në Mekë, për shkak të temperaturave të larta, thanë zyrtarët të mërkurën.
Arabia Saudite nuk e ka komentuar numrin e të vdekurve nga të nxehtit gjatë haxhillëkut.
Megjithatë, qindra njerëz u rreshtuan në Kompleksin e Emergjencës në lagjen Al-Muaisem në Mekë, për të marrë informata për familjarët e vet të zhdukur.
Një listë që po qarkullon në medie sugjeroi se së paku 550 njerëz vdiqën gjatë haxhillëkut, ndërsa një mjek i cili foli në kushte anonimiteti për Associated Press tha se beson se të paktën 600 trupa ndodhën në ndërtesën e emergjencës.
Në listë nuk tregohet shkaktari i vdekjes.
Çdo vit, qindra mijëra pelegrinë nga vende me të hyra të ulëta shkojnë për haxhillëk, “shumica prej të cilëve kanë pasur pak, ose aspak kujdes shëndetësor para haxhillëkut”, sipas një artikulli të publikuar në prill në Ditarin saudit për Shëndetin Publik dhe Infeksionin.
Megjithatë, numri i të vdekurve këtë vit sugjeron se diçka e ka shkaktuar rritjen e numrit të vdekurve.
Tashmë disa vende kanë thënë se disa prej pelegrinëve të tyre vdiqën si pasojë e të nxehtit të madh që e ka kapluar Mekën, përfshinë Jordaninë dhe Tunizinë.
Temperatura të martën arriti në 47 gradë në Mekë dhe në zonat e shenjta dhe përreth qytetit, sipas Qendrës Nacionale Meteorologjike të Arabisë Saudite.
Në Xhaminë e Madhe në Mekë, temperatura arriti në 51.8 gradë të hënën.
Më shumë se 1.83 milion myslimanë shkuan për haxhillëk më 2024, përfshirë më shumë se 1.6 milion pelegrinë nga 22 vende, dhe rreth 222.000 qytetarë dhe banorë sauditë.
Vdekjet nuk janë të rralla gjatë kryerjes së haxhillëkut, i cili është një ndër pesë obligimet e fesë islame.
Një rrëmujë e vitit 2015 në Mina gjatë haxhit vrau mbi 2,400 pelegrinë.