Më 19 qershor të vitit 2011, u nda nga jeta ministrja e parë e Drejtësisë në Kosovën e pasluftës, Nekibe Kelmendi.
Gjyqtarja dhe avokatja, ishte bashkëthemeluese e Lidhjes Demokratike të Kosovës, krahë ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Jeta dhe vepra e Nekibe Kelmendit, nga bashkëpunëtorët dhe bashkëpartiakët, është cilësuar si një dëshmi e mahnitshme e qëndresës njerëzore përballë së keqes.
Nekibe Kelmendi – që njihej edhe si Zonja e Hekurz e LDK-së – njohu suksesin në rrafshin profesional, kulmi i së cilit ishte denoncimi që ajo dhe bashkëshorti i saj, avokati i njohur Bajram Kelmendi i bënë gjenocidit serb në Kosovë, duke hartuar akuzën kundër Serbisë e Miloseviqit në Hagë.
Ky akt i lartë profesional dhe kombëtar, atyre u kushtojë shumë, kur Beogradi zyrtar rrëmbeu nga shtëpia e tyre, Bajramin dhe dy bijtë, Kushtrimin e Kastriotin, të cilët u ekzekutuan në mars të vitit 1999.
Ajo ishte nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe deputete nga radhët e këtij subjekti politik. Ajo njihej edhe si zonja e hekurt e LDK-së.
Nekibe Kelmendi ishte një nga bashkëthemelueset e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.
Kishte marrë poashtu edhe në grupin e ekspertëve në kuadër të Ekipit të Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës, si dhe ishte mdër ekspertët për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Pas luftës në Kosovë, Kelmendi, nga janari i vitit 2000 deri në nëntor të vitit 2001, ka qenë bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Nekibe Kelmendi kishte mbaruar Fakultetin Juridik në Prishtinë, më 1968, ku më pas ushtroi detyrën e gjyqtares.
Nga viti 1974 deri në vitin 1976, Kelmendi kishte ushtruar profesionin e avokates, ku u bë edhe avokatja e parë shqiptare në Kosovë dhe kishte punuar edhe si gjyqtare deri në vitin 1987.
Ajo sërish iu rikthye profesionit të avokates, të cilin e ushtroi deri në vdekje.
Nekibe Kelmendi lindi më 11 maj 1944 në Pejë dhe vdiq në moshën 67 vjeçare, në Prishtinë.