Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Projektligji për Kriptoasetet, diskutohen ndryshimet e nevojshme në Komisionin për Ekonomi

 
   

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka mbajtur dëgjim publik për Projektligjin për kriptoasetet, me ç‘rast u diskutua se çfarë duhet të ndryshohet tek ky ligj.

Anëtarja e Komisionit për Ekonomi, Mimoza Kusari-Lila, tha se qëllimi i këtij projektligji është rregullimi i licencimit, autorizimit dhe mbikëqyrja e operatorëve që ushtrojnë veprimtari të ndërlidhur me emetimin, shpërndarjen, tregtimin dhe ruajtjen e kriptoaseteve.

Përveç kësaj, Kusari Lila potencoi se ndër të tjera ky ligj ka për qëllim të rregullojë kushtet dhe kriteret për transparencë gjatë emetimit dhe tregtimit të kriptoaseteve në platforma tregtare.

“Ky ligj ka për qëllim të rregullojë licencimin, autorizimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve që ushtrojnë veprimtari të ndërlidhur me emetimin, shpërndarjen, tregtimin dhe ruajtjen e kriptoaseteve. Pastaj kushtet e operimit dhe organizmit të operatorëve në fushën e emetimit, tregtimit dhe ruajtjes së kriptoaseteve. Kushtet dhe kriteret për transparencë gjatë emetimit dhe tregtimit të kriptoaseteve në platforma tregtare. Rregullat për mbrojtjen e konsumatorëve lidhur me shërbimet e operatorëve lidhur me emetimin, tregtimin, shkëmbimin dhe ruajtjen dhe shërbimet e konsulencës lidhur me kriptoasetet. Sanksionet në rastet e praktikave abuzive”, tha Kusari Lila.

Avokati Vyrtyt Ibrahimaga, tha se drafti i parë ka qenë më i plotësuar sesa ky aktual. Ai tha se drafti paraprak ka paraparë dispozita mjaft të detajuara sa i përket autorizimit dhe licencimit.

Përveç kësaj, Ibrahimaga nuk e konsideroi si të duhur kalimin e pjesës së emetimit në atë të autorizimit, për çka propozoi se emetimi duhet të kalojë në licencë.

“Drafti paraprak ka paraparë dispozita mjaft të detajuara sa i përket autorizimit, licencimit. Janë paraparë dispozitat dhe kushte se në cilat raste operatorët cilat kushte duhet t’i përmbushin për ta marrë një autorizim dhe një licencë…Kriteret që janë shumë me rëndësi për transparencën dhe investitorët që duan të vijnë këtu sepse ata duan të dinë se cilat janë kriteret e autorizimit dhe operimit. Meqenëse ato janë larguar duhet të rregullohen me akte nënligjore, por me akte nënligjore reduktohet transparenca dhe trendi është edhe në legjislacionin e Kosovës që aktet administrative draftohen në mënyrë shumë demokratike…Unë konsideroj se janë të pa nevojshme që të largohen ato…Unë mendoj që nuk është e duhur që ka kaluar pjesa e emetimit në atë të autorizimit, emetimi duhet të kalojë në licencë sepse i nënshtrohet procedurave se si emitohet ”, tha Ibrahimaga.

Lidhur me këtë të fundit, Kusari Lila pohoi se ka vend për ndryshime.

Ndërkaq, gjatë diskutimeve fjalën e mori edhe Arianit Duraku nga kompania “Kaktus”.

Sa i përket ndalimit të shpëlarjes së parave ose të mënyrave të tjera jo ligjore, Duraku ka pyetur se në çfarë mënyrash do të monitorohet një gjë e tillë nga Banka Qendrore e Kosovës.

“Për ndalimin e shpëlarjes së parave ose të gjithë mënyrave të tjera të cilat janë jo ligjore, nëse Banka Qendrore është duke e planifikuar një draft të tillë, në çfarë mënyrë mund ta monitorosh një gjë të tillë dhe parandaluar duke ditur se Kosova nuk e ka legalitet ende bitcoin”, tha Duraku.

Për këtë, Kusari Lila tha se prejardhja e parasë, origjina e mjeteve të fituara, origjina e fitimit dhe riinvestimi i tyre mbesin subjekt i një institucioni të specializuar në kuadër të Republikës ës Kosovës.

Ndërkaq, përfaqësuesi i BQK-së, Ervin Mala, tha se Banka Qendrore do ta ketë rolin dhe përgjegjësinë për licencimin, autorizimin dhe monitorimi e të gjithë operatorëve dhe këtyre që do të merren me kriptoastete.

“Banka Qendrore tani do ta ketë rolin dhe përgjegjësinë për licencimin, autorizimin dhe monitorimin e të gjithë operatorëve dhe këtyre që do të merren me kriptoastete”, tha Mala.

Ndërsa, lidhur me pyetjet dhe ndryshimet që mund të bëhen në këtë projektligj, anëtari i këtij komisioni nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se meqë Kosova është e re në këtë drejtim, duhet standardizuar ligjet dhe rregulloret.

Ai tha se qeveria duhet të bëjë monitorimin e parasë në mënyrë që këto mos të bëhen në mënyrë ilegale.

“Meqë Kosova është fillestare në këtë drejtim dhe sa i përket kritpoaseteve apo kriptovalutave janë globale dhe ne duhet patjetër që të komunikojmë dhe t’i standardizojmë edhe ligjet edhe rregulloret në fjalë. Kur jemi te paraja, apo paraja digjitale, kriptoasetet ne duhet që të kemi në licencim të tyre, kontroll të tyre dhe unë nuk mendoj se ka ndonjë kompetencë dikush tjetër përpos Bankës Qendrore të Kosovës, sepse ajo e monitoron sistemin bankar, transaksionet dhe i licencon edhe sistemin bankar edhe bankat por në këtë rrafsh edhe kriptoasetet…Shteti si shtet dhe qeveria si qeveria duhet të ketë monitorim të parasë dhe duhet t’i monitorojë që këto mos të bëhen në mënyrë ilegale. Mos të ketë shpëlarje të kësaj natyre dhe mos ta financohet terrorizmi”, potencoi Lekaj.