Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

Ekspertët tregojnë ndikimin e temperaturës në humbjen e peshës!

Jemi zyrtarisht në sezonin e verës dhe i nxehti do të jetë shoqërues i ditëve tona. Me siguri që edhe juve ju duket sikur po djersini më shumë në palestër apo gjatë stërvitjes në natyrë, por a ka realisht ndikim i nxehti i verës me djegien e kalorive gjatë këtij sezoni?

Trupi ynë punon shumë për të mbajtur një temperaturë të brendshme të qëndrueshme prej rreth 37 gradë celsius. Ky është një proces fiziologjik i quajtur termorregullim. Nëse trupi ndjen se temperatura e tij e brendshme po rritet, gjëndrat e djersës aktivizohen për të djersitur dhe për ta mbajtur trupin të freskët. Pavarësisht se sa i nxehtë apo i/e djersitur ndiheni, trupi bën një punë të mirë për të qëndruar freskët.

Nuk kërkon më shumë kalori për të prodhuar djersë dhe për këtë arsye, ju nuk digjni më shumë kalori në nxehtësi. Disa njerëz prodhojnë më shumë djersë se të tjerët, por nuk ka ndonjë studim që tregon se më shumë djersë do të thotë djegie më e lartë e kalorive. “Kur jashtë është shumë nxehtë, njerëzit mund të djersiten më shumë, gjë që çon edhe në dehidratim,”-thotë mjeku kardiolog Marc Eisenberg.

Kur jeni të dehidratuar, presioni i gjakut mund të bjerë dhe si përgjigje ndaj kësaj, rrahjet e zemrës mund të rriten për të kompensuar presionin e ulët të gjakut. Një rritje e rrahjeve të zemrës nuk përkthehet as në një djegie të madhe të kalorive. Ju nuk do të digjni më shumë kalori në vapë, por historia ndryshon kur moti është i ftohtë.

Sipas “National Institutes of Health”, trupi punon shumë për të ruajtur temperaturën e brendshme të trupit si në mjedise të nxehta ashtu edhe në të ftohta. Por, kur është ftohtë, ndodh humbja e nxehtësisë dhe temperatura e brendshme e trupit bie, hipotalamusi (një rajon i vogël në tru) rrit metabolizmin e trupit për të gjeneruar nxehtësi.

Përveç kësaj, muskujt kontraktohen në mënyrë të pavullnetshme për të shkaktuar dridhje që çojnë në nxehtësi. Të dridhurat djegin njëherësh edhe kalori, që mund të çojë edhe në humbje peshe. A ndihmon stërvitja në vapë që të humbisni peshë? Ju mund të keni parë më pak kilogramë në verë pas ushtrimeve apo stërvitjes, por kjo me shumë mundësi ndodh për shkak të humbjes së ujit. Rritja e nxehtësisë bën që trupi të djersitet më shumë për të mbajtur veten të freskët. Nëse nuk pini ujë për të zëvendësuar djersën që po humbisni, mund të humbni disa kilogramë nga pesha ujore dhe të dehidratoheni.