Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Ju lutem që kohë pas kohe ta bëni këtë gjë për Kurtin”, Walker lë mesazhin e “fortë” për gazetarët në Prishtinë

 
   

Ish-ambasadori i OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker, ka qëndruar së fundmi në Prishtinë, për nder të 25 vjetorit të çlirimit të vendit tonë.

Ai gjatë vizitës, është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kreu i Qeverisë, e ka cilësuar Walkerin si nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës.

Sipas Kurtit, Walker i tregoi botës për të vërtetën e Sllobodan Millosheviqit.

“Ambasadori William Walker është ndër miqtë më të mëdhenj që ka vendi ynë. Ai ishte një nga figurat e para ndërkombëtare që vizitoi vendet e masakrës si Shef i Misionit Verifikues të Kosovës, duke dokumentuar mizoritë e ndodhura në Kosovë në vitin 1998. Kur hyri në Reçak, ai pa kufomat e 45 shqiptarëve që ishin vrarë nga forcat serbe në ky fshat. Ngjarjet në Kosovë kanë ndodhur para epokës së mediave sociale, kështu që pa vullnetin dhe integritetin e njerëzve dhe organizatave si ambasadori Walker dhe OSBE, historia mund të kishte marrë një kthesë edhe më të rëndë. Në kohët tona më të errëta, ai i shpalli botës të vërtetën e plotë dhe të panjollosur për regjimin e Millosheviqit. Kjo është edhe arsyeja pse vepra e tij është një kontribut themelor për të drejtat e njeriut dhe përse ne ishim të nderuar ta kishim atë si mysafir special për 25 vjetorin e çlirimit tonë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ndërsa, ish-ambasadori Walker, la një porosi të veçantë për gazetarët në Prishtinë.

“Ju lutem jepni kryeministrit tuaj meritat që ka, e që i ka të mëdha. Ju lutem që kohë pas kohe, të thoni diçka të mirë për të.

Në rregull?

Ai po bën një punë të mirë”, ka porositur ai, gazetarët.

Mesazhin e Walkerit e ka shpërndarë në Facebook edhe analisti Xhevdet Pozhari.

“Porosia e Walker për gazetarët. Edhe vetë atij i paska ra në sy hallakama mediatike dhe urrejtja patologjike që e kanë disa ndaj kryeministrit Kurti.

Tekefundit veç shëndetin e tyre po e dëmtojnë!”, ka shkruar Pozhari./Botasot