Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Propaganda nuk kalon, Bajrami e Murati përplasen për pagesat e rrymës

 
   

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Hykmete Bajrami dhe ministri i Financave Hekuran Murati janë përplasur për mbështetjen e familjeve të cenueshme përmes subvencioneve për energjinë e shpenzuar elektrike.

Murati në Facebook ka shkruar se për gjashtë muaj me radhë Qeveria ka subvencionuar faturat e energjisë elektrike për 61 mijë familje të cenueshme.

“Familjet përfituese, edhe këtë muaj do të pranojnë subvencionimin direkt në faturë të energjisë elektrike. Faza e pilotimit përmbyllet me ekzekutimin e këstit të 6-të të subvencionimit, për secilën nga familjet e cenueshme. Mësimet e informatat që kemi mbledhur përgjatë pilotimit 6-mujor do të përdoren që të dizajnojmë masën e rregullt të mbështetjes së familjeve të cenueshme, e cila pritet të ri-aktivizohet në stinën e dimrit”, ka shkruar Murati.

Ndërsa Bajrami ka reaguar duke përkujtuar se BE është institucioni që duhet të falënderohet për këtë ndihmë.

“61 mijë familjet e subvencionuara për faturat e energjisë elektrike në gjashtë muajit e fundit janë bërë me fonde të BE-së për familjet pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta. Qeveria Kurti me ministër Muratin duhet të mbahet përgjegjëse që përkundër faktit që erdhën në pushtet duke premtuar lirim të çmimit të energjisë elektrike e rritën atë deri në pa përballueshmëri për 61 mijë familje në Kosovë”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Bajrami ka thënë se “falë” mos punës së Qeverisë, sot 61 mijë familje apo rreth 250 mijë banorë jetojnë në varfëri ekstremi dhe ministri i financave mundohet që këtë ta shes si lavd. “Propaganda nuk kalon”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe, masa e pilotimit ka qenë e mbështetur financiarisht nga Pakoja Energjetike e BE-së në kuadër të mbështetjes së shteteve të Ballkanit Perëndimor për tejkalimin e krizës energjetike.