Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, nesër do të qëndrojë në Kosovë ku do shkojë në takim në selinë e LDK-së ku do të pritet nga kryetari Lumir Abdixhiku.
LDK në njoftim për media tha se Abdixhiku do t’i ndajë atij dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”.
“Nesër (e diel), në orën 09:00, në Selinë Qendrore, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës me bashkëpunëtorë pret në takim Gjeneral Wesley Clark. Kryetari Abdixhiku po ashtu Gjeneralit Clark i ndan Dekoratën dr. Ibrahim Rugova, për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e partisë.
Clark shërbeu si Komandant Suprem i Aleatëve në Europë i NATO-s nga viti 1997 deri në vitin 2000, duke komanduar Operacionin e Forcave Aleate gjatë luftës në Kosovë. Ai kaloi 34 vjet në ushtrinë amerikane, duke marrë shumë dekorata ushtarake, disa tituj nderi dhe Medaljen Presidenciale të Lirisë.