Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Pushteti insiston që drafti i Lajçakut për Asociacionin të dërgohet në Venecia

 
   

Zyrtarë qeveritarë insitojnë që drafti i Asociacionit i propozuar nga Bashkimi Evropian të dërgohet në Komisionin e Venecias për vlerësim. Tri ditë para takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, në ekzekutiv thonë se përfaësuesi i lartë i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell apo emisari për dialogun, Miroslav Lajçak mund ta dërgojnë draftin për opinion këshilldhënës në Venecia, në mënyrë që krahas përmbajtjes të merr edhe një formë zyrtare të tij. Ndërkaq, kërkesën e qeverisë ndaj BE-së, që draft statutin e Asociacionit të propozuar për Kosovën ta dërgojnë në Venecia e mirëpresin edhe analistët politikë, por potencojnë nevojën që edhe Kosova të përmbushë obligimet nga marrëveshjet ndërkombëtare për Asociacionin.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, thotë se BE-ja dhe Lajçak duhet të legalizojnë draft-stautin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai shton se në formën aktuale si një non-paper pas një nënshkrim, logo, si dhe e ndarë nga marrëveshja e Brukselt dhe Ohrit, qeveria e ka të pamundur të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Qorrolli: Institucionet e BE-së duhet të dërgojnë draftin e Asociacionit në Komision të Venecias

“Meqenëse Bashkimi Evropian po insiston dhe zyrtarisht ata nuk po e deponojnë draft-statutin në institucionet e Kosovës. Ai ka një përmbajtje, por nuk ka një formë në mënyrë që ai të (shqyrohet) nga Gjykata Kushtetuese nesër…Institucionet e Bashkimit Evropian, në këtë rast zotëri Lajçak apo Borrell dhe mekanizmat përcjellë të tyre të dërgojnë në Komisionin e Venecias. Venecia është një trup e cila merret me çështjet e sundimit të së drejtës dhe demokracive që kanë lindur me vonë… Institucionet e BE-së, mund të dërgojnë dhe t’i kërkojnë një opinion këshillëdhënës, i cili nuk është obligativ. Venecia pastaj dhe Gjykata Kushtetuese të bëhen dy vendime figurativisht. Zotëri Lajcak duhet të legjitimojë arsyen e vet dhe ta legalizojë përndryshe s’ka kuptim”, thotë ai.

Analisti politik, Dorajet Imeri, thotë për KosovaPress, se për të dalë nga ngërçi aktual në dialog dhe për të tentuar t’i jepet zgjidhje temës së Asociaiconit, do të ishte mirë që BE-ja të dërgojë në Venecia draftin e Asociacionit të propozuar për insitucionet kosovare.

Imeri: Do të ishte mirë që drafti të dërgohet në Veneciase

“Dërgimi i draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Komisionin e Venecias nëse do të ishte e pranuar praktikisht sipas normave të aplikueshme. Do të ishte mirë për t’i dhënë një dimension më kritik përmbajtjes së këtij dokumenti. Natyrisht për t’i vijuar më tej në plotësimin e obligimeve ndërkombëtare që ka Kosova. Në radh të parë në dërgimin e draftit në Gjykatën Kushtetuese që do të nënkuptonte përmbylljen e obligimeve që ka Kosova në këtë fazë”, thekson ai.

Megjithatë, njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, deklaron se BE-ja, nuk e ka obligim me dërgu draftin e Asociacionit në Venecia.

Sipas tij, themelimi i Asociacionit është një obligim i Kosovës, andaj kërkesat e tilla Arifi i konsideron më shumë si elektorale sesa racionaliste.

Arifi: BE-ja nuk e ka obligim me dërgu draftin e Asociacionit në Komision të Venecias

“Bashkimi Evropian nuk e ka obligim me dërgu asgjë askund. Në fund të ditës ai është një obligim i joni ndërkombëtar që ne duhet ta zbatojmë. Si do të zbatojmë dhe kur është çështje e Kosovës, por BE-ja nuk e ka obligim me dërgu askund. Është më shumë një narracion zgjedhor sesa që ka një racionalitet”, deklaron ai.

Qeveria e Kosovës refuzon ta dërgojë në kushtetuese draftin e BE-së për Asociaciacionin duke kërkuar nga BE-ja që atë draft ta dërgojë në Komisionin e Venecias.

Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq më 26 qershor në Bruksel, ku temë kryesore do të jetë zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.