Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bytyçi ia publikon Ramës intervistën ku shante Rugovën: “I poshtër, edhe në det futet me shall, presidenti kosovar i Berishës”

 
   

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, ka risjellë në vëmendje të lexuesve një intervistë të kryeministrit shqiptar Edi Rama, të vitit 1994.

Në këtë intervistë, Rama e kishte quajtur ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, “të poshtër” dhe “president kosovar të Sali Berishës”, përcjell Bota sot.

Intervistën në fjalë, pak ditë më parë e publikoi edhe gazetari i afërt me Partinë Demokratike Çim Peka.

Sipas tij, Rama në intervistë kishte deklaruar se Rugova “futet edhe në det me shall”.

“Edi Rama në vitin 1994: Rugova është Presidenti kosovar i Sali Berishës, është i poshtër dhe në det futet me shall, etj….”, kishte shkruar gazetari Peka.

Ndër tjerash, gazetari kishte kritikuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, për ftesën që ia bëri Edi Ramës që të mbante fjalim në konferencën e parë dedikuar Ibrahim Rugovës, të organizuar nga LDK-ja.

Peka e kishte shfrytëzuar këtë momentum për të treguar se si Adbixhiku kishte larguar nga muri fotografinë e Rugovës disa minuta para intervistës.

Lexo edhe: Gazetari shqiptar: Abdixhiku e hoqi foton e Rugovës pak minuta para intervistës

Sipas Pekës, Abdixhiku e kishte bërë këtë veprim që ‘LDK të identifikohej tashmë me të dhe jo me Rugovën’.

“Kjo foto është marrë nga intervista e parë e Abdixhikut si kryetar i LDK në zyrat e selisë. Tek muri pas Lumirit ishte foto e Rugovës (duket edhe gozhda ku ishte varur), vetëm pak minuta para intervistës stafi i tij e hoqi. Abdixhiku donte që LDK të identifikohej tashmë me të dhe jo me Rugovën”, shkruante mes tjerash Peka në Facebook./Botasot