Gjatë muajit korrik, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mblidhen para Qeverisë së Kosovës për të protestuar, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila i dha drejtë Qeverisë së Kosovës që ata të mos përfshihen në Ligjin për pagën minimale.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i degës së OVL UÇK-së në Pejë, Gazmend Syla.
Ai ka thënë se vendimi i Kushtetueses ka qenë i papritshëm për ta, pasi kanë menduar se nuk do ta bëjë gabimin e njëjtë.
“Vendimi i papranueshëm sepse kemi menduar se Gjykata Kushtetuese nuk ka me ba gabimin e njëjtë. Së shpejti do të mblidhet kryesi e OVL E uck në nivel qendror dhe do të dalim të protestojmë. Javën e ardhshme do të mblidhemi dhe do të vendosim për datën dhe sigurisht që protesta do të ndodhë në korrik, sdo të humbim shumë kohë”, ka thënë Syla.
Syla ka thënë se do ta pengojnë kryeministrin Kurti në kryerjen e detyrës.
Ai ka thënë se Kurti ka vendosur të sillet si armik i organizatave të luftës.