Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hapja e Urës së Ibrit, vendimi mbetet pezull mes dialogut dhe frikës për tensione

 
   

Simbol i ndarjes dhe vend i tensioneve ndër vite, ura kryesore mbi lumin Ibër, ndan Mitrovicën në dy realitete, atë të progresit në jug dhe të pasluftës në veri.

Hapja e mundshme e saj është edhe simbolike dhe tërësisht politike, pasi qytetarët gjejnë rrugë alternative për të kaluar nga një zonë në tjetrën, që nga viti 99-të.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në javët e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që të lejohet qarkullimi atje. Një kërkesë e tillë ka ardhur edhe nga opozita dhe shoqëria civile, që kanë kërkuar koordinimin e këtij hapi me aleatët.

Nën presionin e një kërkese të tillë një javë më parë, Lajçak zbarkoi urgjentisht në Prishtinë. Por përpjekja e tij për ta bërë çështjen pjesë të dialogut, nuk duhet të lejohet sipas ish zv.ministrit të Brendshëm në Kosovë, Selami Shkodra.

Vendimi sipas tij është kompetencë ekskluzive e organeve të shtetit të Kosovës.

Kurse sa i përket rolit të Lajçakut në raport me Serbinë, Shkodra thotë se edhe gjatë takimit të fundit janë bërë përpjekje që Serbinë ta nxjerrin në pozicion të favorshëm para ndërkombëtarëve.

Vendimi për hapjen e urës së Ibrit, shihet si një lëvizje pozitive nga analistët në vend, por nëse ai do të bëhet realitet pas takimit të Brukselit, kjo mbetet për tu parë javën që vjen.