Zëvendësministri i Administratës Publike, Bardhyl Dobra ka thënë se vendimi për ndalimin e përdorimit të aplikacionit TikTok vjen si masë parandaluese pasi edhe vendet evropiane kanë ndërmarrë hapa të tilla.
Dobra këtë e tha në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë të premten.
Dobra: Ndalimi i TikTok, masë parandaluese
“Masa vjen si parandalim. Janë të gjitha shtetet evropiane dhe aleate të tjera që kanë ndërmarrë hapa të tillë…Jemi duke kujdesur që të kemi masa parandaluese dhe mos të vijmë në ndonjë situatë kur kemi sulme dhe të merremi me pasojat. E thash se në pajisje personale lejohet të përdoret TikToku, por jo në sistem shtetëror”, tha ai.
Ai e konsideroi të rëndësishme edhe Strategjinë shtetërore kundër drogave 2024-2028.
Dobra: Ky dokument përcakton nevojën për rritjen e aktiviteteve parandaluese të drogave
“Ky dokument përcakton nevojën për rritjen e aktiviteteve parandaluese të drogave, sidomos në mosha të hershme pastaj trajtimin adekuat të personave që përdorin drogë”, tha ai.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Jeton Raka tha se përmes Udhëzimit Administrativ për tarifat për produktet, shërbimet kadastrale gjeodezike dhe regjistrimit të pronave do të bëhet unifikim i tarifave për të gjitha shërbimet.
Raka: Do të unifikohen të gjitha shërbimet
“Unifikim i tarifave për të gjitha shërbimet. Tarifat e produkteve për shërbimet e parapara me këtë udhëzim administrativ reflektojnë koston dhe kohën e tyre si shërbime kadastrale dhe të gjitha produktet do të ofrohen në formën digjitale”, tha ai.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ta ndaluar TikTokun në institucionet publike. Sipas ekzekutivit ndalimi i përdorimit të këtij aplikacioni bëhet me qëllim të qëllim të eliminimit të rreziqeve kibernetike. Të gjitha institucionet obligohen që të vendosin kufizimet e nevojshme teknike për ndalimin e TikTokut.