Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kërkohet që paralajmërimi i Konjufcës për sulm nga Serbia të merret seriozisht

 
   

Një paralajmërim goxha serioz për cenimin e sigurisë brenda territorit të Kosovës, e bëri kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të hënën.

“Institucionet tona kanë informacione të sakta se qindra persona po ushtrohen, po përgatiten për ndonjë sulm eventual”, ka thënë Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Një sulm të ngjashëm sikurse ai i 24 shtatorit në Banjskë, nuk e përjashtojnë as anëtarët e komisionit për Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Deputeti i mazhorancës Arbër Rexhaj, thotë se në bazë të informacioneve që kanë afër kufirit me Kosovën, në Serbi,  po përgatitën grupe të ngjashme si ai i Milan Radojçiqit.

Një sulm i tillë mund të ripërsëritet, në një kohë që mund të jetë edhe në një të afërt ose të të largët pasi që këto grupe duhet të presin udhërat që marrin prej Serbisë”, ka thënë Arbër Rexhaj, anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Këto deklarata Rexhaj thotë se duhet të merren seriozisht, dhe jo të nënvlerësohen sikurse herën e parë, që kulmuan me sulmin e 24 shtatorit.

“Në komisionin e AKI-së, drejtori I inteligjencës para se të ndodhte sulmi, na ka thënë që mund të kemi një sulm të përmasave që ka qenë, andaj këto konspiracionet se institucionet e Kosovës nuk e kanë ditur nuk qëndrojnë”, ka thënë Rexha.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se deklaratat e Konjufcës, janë shumë konkrete, dhe informatat vijnë nga burime të dorës së parë.

“Një grup prej qindra pjestarësh kanë për qëllim një sulm të ngjashëm si ai i Banjskës, ose me të madh, këto informacione bazohen nga  informacionet qe institucionet e sigurisë i kanë marrë edhe nga institucionet ndërkombëtare mike”, ka thënë Drizan Shala, Ekspert i sigurisë.

Media ka dërguar pyetje edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, lidhur me këto deklarata të Konjufcës, megjithatë nuk ka marr përgjigje.