Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qeveria për takimin e sotëm: Serbia refuzoi planin e sekuencimit dhe e sabotoi diskutimin për të zhdukurit

 
   

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për takimet e sotme të kryenegociatorit Besnik Bislimi, që pati me emisarin special të dialogut, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

Qeveria tha se në takimet e sotme u fol mbi formalizimin e Marrëveshjes Bazike, ku sipas tyre, është element kryesor dhe i parë për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes, bashkë me Aneksin e Ohrit, mbi Planin e Sekuencimit, Zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, rreth mungesës së përparimit në zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur me dhunë si dhe zbatimin e një numri marrëveshjesh të tjera, përfshirë IBM-in si dhe atë për vizitat zyrtare.

“Nga diskutimet, sidomos në dy pikat e para, u ekspozua sërish fakti tashmë i konfirmuar disa herë dhe publikisht që Serbia refuzon të pranojë Marrëveshjen Bazike në tërësi dhe nuk pranon të zbatojë pjesë të saj”.

“Pala serbe refuzoi të përfshihet në diskutim për dakordimin e planit të sekuencimit si dhe në arritjen e formalizimit të marrëveshjes, bazuar në garancat e kërkuara në takimin e liderëve javën e kaluar. Diskutimi rreth çështjes së personave të zhdukur ekspozoi sërish që pala serbe është duke e sabotuar procesin, duke nxjerrë vazhdimisht kërkesa të reja me qëllim të bllokimit të procesit”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Më tej, qeveria tha se Bislimi evidentoi në takim edhe zvarritje në zbatim të Marrëveshjes së Energjisë, teksa qeveria insistoi se Marrëveshja Bazike, pikë fillestare duhet ta ketë formalizimin e marrëveshjes mes palëve.

“Takimi i sotëm, që zgjati më shumë se 6 orë, nisi me takime bilaterale, ndërsa u përmbyll me atë trilateral. Vazhdimi i procesit mbetet tek përpjekja për të gjetur rrugën përpara në arritjen e dakordimit rreth formalizimit dhe planit të sekuencimit për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të cilën BE-ja e ka shpallur si ligjërisht të obligueshme në tërësinë e saj dhe aneksit të zbatimit, që pikë filletare duhet ta ketë formalizimin e marrëveshjes mes palëve”, thuhet në njoftim.