Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Ditën e Pavarësisë.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook, Abdixhiku thotë se ShBA-të janë sinonim i kombit të madh, që angazhohet përherë për një botë më paqësore dhe më të sigurt.
Ndër të tjera, kreu i LDK-së tha se edhe për Kosovën SHBA-të kanë qenë, janë dhe do mbesin aleat i përhershëm strategjik, pa mbështetjen e të cilëve vendi ynë do ta kishte të pamundur lirinë, krijimin dhe konsolidimin e shtetit.
Mesazhi i plotë:
“Urime dita e pavarësisë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës
4 korriku i vitit 1776, shpallja e pavarësisë së ShBA-ve padyshim shënon datën e lindjes së një vendi që identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin nëpër botë. Në historinë politike të krijimit të shteteve, SHBA-të janë themelues dhe pishtar i të drejtës universale për të jetuar të lirë secili popull kudo në botë.
Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonim i kombit të madh, që angazhohet përherë për një botë më paqësore dhe më të sigurt. Ato janë motiv dhe model i shumë popujve anekënd globit për liri, paqe e demokraci.
Edhe për Kosovën SHBA-të kanë qenë, janë dhe do mbesin aleat i përhershëm strategjik, pa mbështetjen e të cilëve vendi ynë do ta kishte të pamundur lirinë, krijimin dhe konsolidimin e shtetit. Aleanca me ShBA-të është e përmbledhur qartë në postulatin e atit themeltar të Republikës, Presidentit Historik Rugova: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Vizioni politik i yni është i qartë; duhet ta ndjekim orientimin natyral politik drejt vlerave perëndimore e integrimin në strukturat euro-atlantike.
Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Qeverinë dhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ditën e Pavarësisë.
Urime Ditën e Pavarësisë SHBA!
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Zoti e bekoftë miqësinë në mes dy vendeve tona!”