Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Anulohet seanca ndaj ish-kryetarit të LDK-së në Drenas, i akuzuar për pastrim parash

 
   

Me kërkesë të prokurorit special Milot Krasniqi është anuluar gjykimi në rastin ku Bedri Nika ish-kryetar i LDK-së në Drenas së bashku me Albian Nikën po akuzohen për pastrim parash.

Në këtë rast, Bedri e Albian Nika po akuzohen se afër 6 mijë euro të dëmtuara me reagjent kimik i kishin transferuar në llogari bankare, e më pas i kishin tërhequr nëpër bankomate para të padëmtuara.

Konfirmimi për anulimit të seancës u bë i ditur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari ku i njëjti tha se palët janë njoftuar me kohë për anulimin e seancës ndërsa e njëjta u shty në kohë të pacaktuar për arsye se gjykatësi Bajraktari është avancuar në Gjykatën e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 prill 2023, kishte shpallur aktgjykim duke e dënuar të akuzuarin Bedri Nika me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë për veprën penale “pastrimi i parasë”, ndërsa e kishte liruar për veprën penale “blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale”, kurse të akuzuarin Albian Nika për veprën penale “pastrim i parasë” e kishte dënuar me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Kurse Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërsa Gjykata Supreme e Kosovës kishte konstatuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përpiluar duke u bazuar në dispozita ligjore, pasi që si dispozitivi, ashtu edhe arsyetimi nuk përmbajnë sqarime të duhura në lidhje me “aktivitetin kriminal”, që konsiderohet element esencial i figurës së veprës penale për të cilën të dënuarit Nika shpallur fajtor.

Sipas të njëjtit aktgjykim thuhet se shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale me të cilat janë përfshirë aktgjykimet e shkallës së parë dhe së dytë janë të asaj natyre që nuk kanë mundur që të evitohen nga Gjykata Supreme e Kosovës, kështu që të njëjtat kanë qenë arsye që kanë imponuar që detyrimisht kjo çështje penale të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë që duhet të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 20 dhjetor 2021, Bedri Nika po ngarkohet me veprat penale “Blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale” dhe veprën penale “Pastrimi i parasë”, me të cilën vepër po ngarkohet edhe i akuzuari Albian Nika.