Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Kurti fton mërgatën shqiptare në Turqi për investime në Kosovë

 
   

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Turqi, kryeministri i Kosovës Albin Kurti takoi pjesëtarë të mërgatës, studentë dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare nga Izmiri, Bursa, Manisa e Stambolli.

Ai i njoftoi ata me progresin, zhvillimet në vend dhe qeverisjen në këto më shumë se tri vjet, duke veçuar indikatorët ekonomikë që tregojnë rritjen për dyfish të investimeve të huaja dhe eksporteve, rritjen e të hyrave tatimore për 2/3, pa ndërruar politikën fiskale, dhe nivelin e punësimit, sidomos te të rinjtë.

Kurti tha se Kosova ofron një mjedis të favorshëm për investime, përfshirë çmimin e lirë të energjisë elektrike, fuqinë punëtore profesionale, besimin në institucionet publike, politikat fiskale dhe faktin që Kosova së fundmi ka marrë vlerësimin e saj të parë kreditor sovran nga Fitch Rating.

Me këtë rast, ai u bëri thirrje që të vijnë në Kosovë, të hulumtojnë mundësitë që ofron vendi ynë dhe të investojnë, teksa shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e vazhdueshëm e të rëndësishëm të mërgatës sonë në Turqi, në ruajtjen e raporteve të mira dhe krijimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.