Kryeministri Albin Kurti i ka përshëndetur punimet e Komitetit për Evropë në kuadër të Internacionales Socialiste përmes një video mesazhi, teksa ka uruar liderin e Partisë Laburiste, Keir Starmer, për zgjedhjet e suksesshme dhe fitoren e partisë së tij në Mbretërinë e Bashkuar, duke kujtuar se kjo fitore shërben si dritë karshi prapavijës së errët me të djathtën ekstreme në Evropë.
Kurti përshëndeti panelet që adresuan ngritjen e të djathtës, dhe foli për rrezikun që paraqet për sigurinë dhe paqen ideologjia ekspansioniste e Rusisë dhe Serbisë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.
“Ashtu sikur në vitet para të Luftës së Dytë Botërore, Serbia, me ndihmën e aleatit të saj të ngushtë Rusisë, po përpiqet të mobilizojë mbështejen për ambiciet e saj ekspansioniste përmes dezinformimit dhe propagandës duke gënjyer popullin e saj për armiqt e supozuar të Serbisë dhe të serbëve etnik në vendet fqinje”, potencoi Kurti.
Një gënjeshtër e tillë, tha ai, është pretendimi i përsëritur i Serbisë se Kosova po kryen spastrim etnik ose pogrome kundër popullatës etnike serbe.
“Ky pretendim është hedhur poshtë gjerësisht nga organizata të pavarura si Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe Iniciativa Evropiane e Stabilitetit në Berlin. Në fakt, e kundërta është e vërtetë: Qeveria jonë social-demokrate në Kosovë jo vetëm që ka pasur sukses në luftimin e korrupsionit dhe krijimin e vendeve të punës – ne gjithashtu kemi siguruar që të gjithë qytetarët tanë, përfshirë komunitetin etnik serb, të gëzojnë frytet e zhvillimit tonë. Ky progres është pikërisht ajo që e zemëron kaq shumë Beogradin: Sa më shumë qytetarë etnik serbë që integrohen në Republikën e Kosovës, aq më e vështirë është për Serbinë të arrijë vizionin e saj për zgjerim territorial”, tha Kurti, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Gjatë ditës së sotme, ku u zhvilluan punime dhe diskutime mbi bashkëpunimin e progresistëve evropianë në betejën kundër të djathtës ekstreme, Sekretari Organizativ i LVV-së, Alim Rama, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Hajrulla Çeku, zhvilluan disa takime të rëndësishme me përfaqësues të partive simotra, përfshi këtu kryeministrin spanjoll, Pedro Sánchez, dhe atë rumun, Marcel Ciolcau, kryetarin e CHP të Turqisë dhe shumë të tjerë.
Në fund të punimeve, të pranishmit miratuan një deklaratë të përbashkët mbi qëndrimet për ngjarjet e fundit, ku ndër të tjera theksohej urgjenca e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si hap që do të siguronte stabilitet, paqe, siguri, zhvillim e prosperitet për këto shtete.
“Lëvizja Vetëvendosje bashkë me subjekte të tjera socialdemokrate vazhdon të jetë e angazhuar në luftën e përbashkët kundër ngritjes të së djathtës ekstreme në Evropë”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti politik.