Shqipëria do të vijojë nën ndikimin e masave ajrore me origjinë afrikane, duke sjellë mot të kthjellët dhe temperaturat të larta në pjesën më të madhe të territorit, ku temperatura më të larta priten në qarqet Elbasan ,Berat dhe Fier. Pjesa e dytë e ditës do të sjellë vranësira të herëpasherëshme përgjatë gjithë zonës malore në verilindje dhe juglindje të territorit, megjithatë nuk do të ketë reshje.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 14°C vlera minimale deri në 36°C vlera maksimale në rang territori.
Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi mbi 28 km/h nga drejtimi kryesisht perëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të papërfillshëm.
Kosova
Do të vijojnë masat ajrore të qëndrueshme, duke sjellë mot të kthjellët dhe temperatura relativisht të larta në pjesën më të madhe të Kosovës gjatë orëve të para të ditës. Pjesa e dytë e ditës do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira të shpeshta në të gjithë territorin, ku më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat malore përgjatë shtrirjes Veri – Veriperëndim. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 12°C minimalja e shënuar përkatësisht në qytetin e Mitrovicës deri në 31°C vlera maksimale e cila do të shënohen në qytetin e Prizrenit. Era do të fryjë e lehtë paradite, por mesatare gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 30 km/h nga drejtimi kryesisht perëndimor.
Maqedonia e Veriut
Moti i kthjellët dhe i nxehtë do të mbizotërojë në të gjithë republikën e MV, ku më të theksuara kthjellimet do të paraqiten përgjatë zonave në Jug dhe Jugperëndim të territorit ndërsa me kthjellime dhe vranësira të lehta do të paraqitet moti në pjesën tjetër të MV edhe pse vranësirat do të jenë të dukshme në veri dhe verilindje të MV nuk priten reshje. E njëjta situatë e qëndrueshme meteorologjike do të vijojë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 12°C vlera minimale deri në 34°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites por deri mesatare në pjesën e dytë të ditës duke arritur shpejtesinë maksimale 30 km/h nga drejtimi perëndimor dhe veriperëndimor.
Europa
Ishujt britanikë si edhe vendet nordike janë përfshirë nga një sistem i fuqishëm frontal duke sjellë vranësira, erë të fortë si edhe shira në formë shtrëngatash. Po ashtu, rajoni i Balltikut si edhe Europa qendrore do të vijojnë me vranësira konvektive duke gjeneruar rrebeshe shiu ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit të Europës do të dominohet nga mot i kthjellët dhe temperatura të larta, ku vlerat më ekstreme priten në gadishullin Iberik, Italinë Jugore si edhe brigjet Greke./abcnews.al