Në galerinë “ODA” të qytetit të Shkodrës është hapur ekspozita fotografike “Keep Calm and Smile” e fotografit nga Kosova Korab Basha. Ekspozita i kushtohet të rinjve dhe të rejave, që janë bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në kohën kur në botë dhe rajon janë shtuar tencionet dhe konfliktet, fotografi Korab Basha, përmes fotove të tij, hedh një vështrim në të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.
“Qëndroni të qetë dhe buzëqeshni”, është ky lejtmotivi i ekspozitës së fotografit nga Kosova, Korab Basha, çelur në galerinë “ODA”, në qytetin e Shkodres. Janë 25 foto, bardh e zi, pjesë e ekspozitës së tretë personale të fotografit Basha, foto, të cilat i kushtohen Forcës së Sigurisë së Kosovës. Është një fotoekspozitë që shikon jo vetëm të sotmen, por dhe të ardhmen e Kosovës.
“E kam vlerësu të nevojshme që ushtrisë tonë, ushtrisë së Kosovës, me i dhuru një ekspozitë të tillë, djemve dhe vajzave që janë pjesë e një istitucioni që vlerësohet si më i besueshëm i Kosovës. Disa prej këtyre djemve dhe vajzave i kanë pasur të afërmit e tyre në Ushtinë Çlirimtare të Kosovës”.
Fotografi Basha, përmes fotografisë së tij, përpiqet të shikojë në thellësi të realitetit të sotëm në Kosovë, ndikimit që ka në jetën sociale të vendit të tij, por edhe të rajonit, Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila i ka rrënjët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Unë kam dashur për të paraqitur pjesën artistike, pjesën humane, që këta njerëz t’i duan femijët kur i shikojnë, që ajo me qenë ushtri e fëmijëve tanë, e njerëzve tanë. Sepse kjo ushtri nuk i takon veç Kosovës”.
Për fotografen Rozafa Shpuza, në kohën kur në rajon dhe në botë tencionet dhe konfliktet janë shtuar, sjellja përmes fotografisë e të rinjve dhe të rejave të Kosovës, që shërbejnë në forcat e sigurisë, është një mesazh i rëndësishëm që përcjellet përmes aparatit fotografik Korab Basha.
“Idea e tij për të sjellë të rinj e të reja, që shërbejnë tek Forcat e Sigurisë së Kosovës, duke buzëqeshur, duke i thënë jetës ne jemi këtu, jemi për t’ju mbrojtë, nuk jemi përluftë. Pra, metafora dhe krejt filli që lidh të gjitha fortografitë e kësaj ekspozite këtë përcjell. E përcjell me zë të lartë. Prandaj ekspozita e Korab Bashës pati një ndikim të madh edhe tek artdashësit”.
Ndërsa për piktorin Fatmir Juka, i cili drejton galerinë e artit të qytetit, ekspozita e fotografit nga Kosova, Korab Basha, shpreh njëherazi edhe vlerësim për identitetin shqiptar dhe rrënjët prej nga vjen dhe sendërzohet historia e Kosovës së lirë.
“Dhe nuk ka nevojë që mesazhin e kësaj ekspozite ta nisësh nga një foltore e parlamentit apo nga një xhaketë zyrtare. Ai del nga nevoja, dëshira, thelbësorja e humanizmit çka është paqja, prosperiteti, vetpërmbajtja, entuziazmi për të jetu jetën të lirë dhe në marrëdhënie me njëri-tjetrin”.
Ekspozita e fotografit nga Kosova, Korab Basha, po tërheq vëmendjen e vizitorëve edhe për faktin se ajo pasqyron, mes te tjerash, edhe mbështetjen që Amerika dhe partnerët e tjerë të NATO-s vazhdojnë t’i japin ushtrisë dhe pavarësisë së Kosovës. /VOA