Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Franca përballet me krizë politike pas rezultatit të zgjedhjeve

Në Francë më 8 korrik pritet të nisin negociatat për formimin e Qeverisë së re, teksa vendi po përballet me një Parlament “të varur”, pas rritjes së papritur të bllokut të krahut të majtë në zgjedhjet e së dielës, që bllokoi përpjekjen e ekstremit të djathtë të vijë në pushtet.

Fronti i Ri Popullor i krahut të majtë doli fuqia dominuese në Asamblenë Kombëtare pas zgjedhjeve të së dielës, por asnjë grup nuk ka fituar vetëm shumicën dhe ka mundësi që ky front të formojë një qeveri të pakicës apo të synojë ndërtimin e një koalicioni më të gjerë.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Rezultatet e zgjedhjeve ishin një goditje e madhe për presidentin francez, Emmanuel Macron, duke paralajmëruar një periudhë të paqëndrueshmërisë politike vetëm disa javë para se Parisi të jetë nikoqir i Lojërave Olimpike.

Macron përfundoi me një Parlament jashtëzakonisht të fragmentuar, që pritet të dobësojë rolin e Francës në Bashkimin Evropian dhe më gjerë dhe do ta bëjë të vështirë për këdo që të shtyjë përpara agjendat e brendshme.

E majta fitoi 182 ulëse, aleanca centriste e Macronit 168 dhe Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen dhe aleatët 143, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të publikuara nga gazeta Le Mond.

“Sipas logjikës së institucioneve tona, Emmanuel Macron duhet që zyrtarisht sot të ftojë Frontin e Ri Popullor që të nominojë një person për kryeministër”, tha liderja e të Gjelbërve, Marine Tondelier, një prej shumë figurave të Frontit të Ri Popullor që shihet si kandidate potenciale për këtë post.

“A do ta bëjë ai këtë? Si gjithmonë, presidenti na befason. Le ta shohim”, tha ajo për Radio RTL.

Kryeministri Gabriel Attal tha se do të dorëzojë dorëheqjen, por është e paqartë nëse dorëheqja do të pranohet menjëherë nga presidenti, duke pasur parasysh detyrën për formimin e një qeverie. Attal tha se ai është i gatshëm që qëndrojë si kryeministër në detyrë.

Partitë e Frontit të Ri Popullor – ku bëjnë pjesë Partia Komuniste Franceze, Franca e Panënshtruar nga krahu i majtë, të Gjelbërit dhe Partia Socialiste – u takuan gjatë natës për bisedimet e para se si të veprojnë pas zgjedhjeve.

Udhëheqësi i “Franca e Panënshtruar”, Jean-Luc Melenchon, tha se kryeministri i ri duhet të jetë nga Fronti i Ri Popullor. Megjithatë, ky bllok nuk ka lider dhe partitë që janë pjesë e këtij fronti janë thellësisht të ndara lidhur me atë se kush duhet të jetë kandidat për kryeministër, shkruan REL. Disa prej figurave centriste, përfshirë Edouard Philippe, ish-kryeministër gjatë udhëheqjes së Macronit, tha se është i gatshëm të punojë për një marrëveshje që të ketë një ekzekutiv të qëndrueshëm, por shtoi se nuk janë të gatshëm të punojnë me partinë e Melenchonit, që shumë nga centristët në Francë e shohin po aq ekstremiste sa Tubimi Kombëtar.

Rezultatet e partisë së Le Pen ishin shumë larg nga sondazhet e mëhershme që parashihnin një fitore të Tubimit Kombëtar.

Aleanca e majtë dhe ajo centriste bashkëpunuan pas rundit të parë të zgjedhjeve, duke tërhequr kandidatët – kur kishte gara në mes të tre kandidatëve – në mënyrë që të bashkonin forcat kundër Tubimit Kombëtar.

Le Pen, e cila me gjasë do të jetë kandidatja e partisë së saj për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, tha pas zgjedhjeve se Tubimi Kombëtar ka shënuar fitore në krahasim me zgjedhjet paraprake, duke trazuar rrugën për të ardhmen.

“Fitorja jonë thjesht është vonuar”, tha ajo.

Tags: