Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Blakaj për vrasjen e vëllezërve Bytyqi: SHBA bëri presion për zbardhjen e rastit

 
   

Ishte 8 korriku i vitit 1999, ku mbetën të vrarë, Yll, Agron e Mehmet Bytyqi.

Tre vëllezërit ishin arrestuar nga shteti serb në fund të qershorit të vitit 1999, pasi kishin kaluar gabimisht kufirin teksa po përcillnin një familje rome nga Prizreni drejt Serbisë. Gjatë paraburgimit, ata u zhdukën e më pas trupat e tyre u gjetën më vonë në një bazë në Petrovo Selo në Serbinë Lindore.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë që kanë kërkuar që ky rast të zbardhet në procese gjyqësore.

“Ne kemi kërkuar që të zbardhet ky rast në procese gjyqësore kishte një proces gjyqësor ndaj dy policvëve të cilët pastaj janë liruar, pra ata i kanë marrë nga burgu i Prokuples dhe i kanë dërguar në Petrovo Selo, prej gjykatës pra anëtarët e panelit kanë gjetur se ata nuk kanë qenë përgjegjës, atyre u është dhënë urdhër që t’i marrin nga burgu dhe t’i sjellin tek kjo bazë policore dhe nuk ka pasur një aktgjykim dënues,” tha Blakaj, në “FIVE”

Blakaj thotë se për Goran Radosavleviq i cili është i njohur edhe për krime të tjera e poashtu i përfshirë edhe në rastin e vrasjes së tre vëllezërve Bytytqi, nuk ka pasur hetim.

Ai shton se duket qartazi që Goran Radosavleviq ka përkrahjen politike të Vuçiqit.

“Për fat të keq në asnjë rast edhe në krime tjera ku Goran ka qenë i përfshirë duke përfshirë edhe Prekazin, Reqakun dhe shumë masakra tjera e duke përfshirë edhe rastin e vëllezërve Bytyqi ku ai duhet të jetë drejtpërdrejtë përgjegjës nuk ka pasur një hetim, është për keqardhje, ai ishte ftuar si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj policëve e asnjëherë si i dyshuar apo i akuzuar, është e kjartë ai ka mbrojtjen politike edhe ditëve të sotme sepse ai është anëtar i partisë së presidentit të Serbisë, Vuçiqit,” shtoi Blakaj.

Ndërsa për vrasjen e tre vëllezërve, Blakaj thotë se ka pasur presion të madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Serbisë, por nuk ka pasur asnjë rezultat.

“Për këtë rast mendoj që ka pas edhe presion të jashtëzakonshëm edhe nga SHBA, dhe nuk ka dhënë rezultat, shpesh zyrtarë të lartë amerikan që sa herë e kanë vizituar Serbinë e kanë pasur temë zbardhjen e këtij rasti, mirëpo përtej premtimeve që janë dhënë edhe nga Vuçiq edhe nga Daçiq deri më tani nuk ka një proces të duhur gjyqësor për zbardhjen e këtij rasti.”