Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se javën e shkuar në takimin e kryenegociatorëve të të dyja vendeve ka pasur pajtim për hapa konkretë në disa çështje praktike, por se jo edhe në atë të implementimit të Marrëveshjes në Rrugën drejt normalizimit.
Lajçak përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka njoftuar që ka nisur një vizitë në Londër, por që ai gjithashtu përmendi që gjatë javës që shkoi ka organizuar takim në nivel kryenegociatorësh.
“Pas më shumë se shtatë orësh diskutimesh intensive, u pajtuam në hapat konkretë në disa çështje praktike. Fatkeqësisht, s’ia kemi dalë të bëjmë përparim në kornizën e gjerë – implementimin e Marrëveshjes në Rrugën drejt normalizimit”, ka shkruar ai në Facebook.
Lajçakut parashihej t’i skadonte mandati në muajin shtator, por tani i është zgjatur deri në janar. Lajçaku është emëruar lehtësues i dialogut, në prill të 2020-s me një mandat njëvjeçar. Në prillin e vitit tjetër atij iu zgjat mandati për 18 muaj. E më 2022-n vendet e BE-së u pajtuan që t’ia zgjasin mandatin deri në 2024-n.