Në seancën e martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në cilësinë e të paditurit tha se Mimoza Kusari-Lila i ka humbur zgjedhjet dhe nuk ka arritur që ta realizojë vendimin e vet për shpronësim, e për këtë sipas tij ajo e ka paditur për shpifje.
“Paditësja Mimoza Kusari-Lila i ka humbur zgjedhjet dhe nuk ka arritur që ta realizojë vendimin e vet për shpronësim, për shkak se të njëjtin e kam shfuqizuar unë në momentin kur jam emëruar kryetar i Komunës dhe kështu kam shpëtuar komunën nga humbja diku rreth 800 mijë euro të parapara për këto vendime. Aq më tepër sipas këtij pretendimi unë mendoj se paditësja më ka paditur për shpifje, për diçka që ka ekzistuar, por me rastin e humbjes së zgjedhjeve, ajo çka ka ekzistuar nuk është realizuar”, tha Gjini.
Padia është ushtruar më 13 nëntor 2017, ku paditësja Mimoza Kusari-Lila përmes padisë ka kërkuar kompensimin e dëmit moral për shpifje dhe fyerje ndaj të paditurit Ardian Gjini. Objekt i padisë janë deklarimet e kryetarit të Komunës së Gjakovës në kohën e fushatës elektorale komunale, ku në garë ishte edhe Kusari-Lila, aktualisht deputete në grupin parlamentar të Vetëvendosjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjini, në cilësinë e të paditurit deklaroi se në aspektin politik flitet për etikën dhe interesin publik të veprimeve që merren e jo për legalitetin e atyre veprimeve, për këto të fundit merret Prokuroria
“Personat qe janë në politikë flasin për opinion publik, të njëjtit i shtrojnë bindjet se çka duhet të ndodhë ose jo, pavarësisht nëse një veprim të caktuar e lejon ligji, e në këtë rast se flasim për veprim joetik, sipas bindjes sime politike, dhe si të tillë e kam klasifikuar dhe thënë gjatë fushatës”, tha Gjini.
I padituri tha se deklarimet e cituara në padi, i kishte bërë në kohë të fushatës zgjedhore për zgjedhjen e kryetarëve të komunave të Kosovës.
Ndërsa përfaqësuesi i të paditurit Gjini, Meshari Selimaj tha se sipas padisë pretendohet se më 2 tetor 2017 në emisionin “Magazina Lokale” në Klan Kosova, Gjini ka deklaruar se “Znj. Mimoza Kusari-Lila i ka dhënë vetes leje 23m larg kullës “Sylejman Vokshi” duke i futur kështu në borxh qytetarët e Gjakovës“.
Selimaj e pyeti Gjinin se mbi cilën bazë është bërë ky deklarim, e i padituri u përgjigj se ekzistojnë prova materiale se një gjë e tillë ka ndodhur.
“Eksproprijimi i pronave rreth kullës “Sylejman Vokshi”, përtej perimetrit të përcaktuar nga Ministria e Kulturës, dhe që këto ekproprijime kufizohen me pronat e familjes së paditëses Kusari-Lila. Pretendimet e mia të sipërcituara bazohen në vendimet e Kuvendit Komunal për ekproprijim, aq më tepër në seancën e Kuvendit Komunal kur unë kam qenë kryetar i Komunës, kur është marrë vendimi për anulim të vendimit për eksproprijim, paditësja ka hyrë në seancë pa lajmëruar dhe e pa ftuar dhe ka bërë skena të cilat janë të incizuara”, tha Gjini.
Ai shtoi se deklarimi i tillë u bë kur i njëjti kandidonte për kryetar komune dhe se kundërkandidate e kishte tani paditësen Kusari-Lila.
Ndërsa, për deklaratën tjetër të përfshirë në padi, kur thuhet se i padituri ka deklaruar që “znj.Mimoza Kusari-Lila i ka dhënë tenderë bizneseve në të cilat është partner bashkëshorti, në këtë rast z.Arben Lila, duke shtuar këtu se nuk ka lënë gjë pa bërë për interesa personale…Arben Lila është partner në Fiberlink dhe në një diskotekë”, tha se për këtë ka ekzistuar një opinion i gjerë publik dhe si rrjedhojë e deklaratave publike e ka thënë një gjë të tillë.
Në anën tjetër, për deklaratën që “znj.Mimoza Kusari Lila ka shpronësuar tokat afër kullës “Sylejman Vokshi” për interesa personale dhe kësi soji ka zhvatur buxhetin e Komunës së Gjakovës për interes personal”, tha se ka qenë edhe premtim elektoral i tij që do të anulojë vendimin për eksproprijimin, të cilin atëkohë e kishte vlerësuar si kundër interesave të qytetarëve të Gjakovës.
Më pas, përfaqësuesi i paditëses Kusari-Lila, Egzon Doli, tha se nga të dhënat në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, të vitit 2017, në biznesin Fiberlink dhe në dy nga diskotekat që kanë qenë ekzistuese në atë kohë në Gjakovë, nuk evidentohet të ketë qenë Arben Lila partner.
Ndërsa, shtoi se më 28 tetor 2017, në emision “Rubikon” i padituri ka deklaruar se paditësja i ka dhënë tender bizneseve ku partner është bashkëshorti i saj, Arben Lila, duke iu referuar bizneseve të lartpërmendura.
“Një pjesë të kësaj përgjigje e dhashë më herët, por dua të shtoj se sikur të kisha konsideruar se bashkëpronësia e bashkëshortit të paditëses të kishte qenë legale, me siguri para 7 viteve nuk do ta kisha përmendur, do ta kisha përmendur vetëm pjesën e fitimit të kontratave nga kompania. Ka ekzistuar opinion i gjerë publik se një gjë e tillë ka qenë e vërtetë”, tha Gjini.
Avokati Doli kërkoi të dijë nëse i kujtohet të paditurit në rast se në kohën e auditimit në vitin 2018, ka gjetur se me veprimet e paditëses të bëra në vitin 2016-2017 sikurse pretendon i padituri është dëmtuar buxheti i Komunës së Gjakovës.
“Në bazë të objektit të padisë, ndër pikat ku pretendon paditësja që t’i jetë bërë shpifja është fakti, që këtu i padituri ka deklaruar se e njëjta kishte zhvatur buxhetin e Komunës, në bazë të ligjit për menaxhimin e financave publike por edhe të auditimit. Komuna i nënshtrohet auditimit për vitin paraprak ashtu që nëse eventualisht ka ekzistuar zhvatja e buxhetit nga paditësja, një gjë e tillë patjetër që do të evidentohej në auditimin që i është bërë Komunës”, tha Doli.
Për këtë, Gjini tha se kjo e përbën edhe esencën e gabimit të padisë, për shkak se sipas tij fjala e lirë në fushatë zgjedhore është e garantuar në gjitha konventat ndërkombëtare.
Në këtë seancë nuk ishte e pranishme Mimoza Kusari-Lila, për të cilën gjykatësja Fëllanza Knushaj bëri të ditur se ftesën nuk e ka pranuar personalisht, por e ka pranuar një familjar i saj.
Për këtë, Gjykata pyeti të autorizuarin nëse ka qenë e njoftuar që do të dëgjohet në cilësi të palës, ndërsa avokati Doli tha se ajo ka qenë e njoftuar, mirëpo për shkak të angazhimeve zyrtare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk ka pasur mundësi të marrë pjesë në këtë seancë.
E njëjta, përmes avokatit Doli kishte kërkuar shtyrjen e seancës së sotme dhe dhënies së mundësisë për deklarim në seancë tjetër, gjë e cila u kundërshtua nga gjyqtarja Knushaj.
“Duke qenë se përmes të autorizuarit të paditëses gjykata u njoftua se e njëjta ka qenë e njoftuar që në seancën e sotme do të dëgjohet në cilësi të palës, propozim ky i bërë pikërisht nga paditësja përmes të autorizuarit të saj, dhe kërkesa për shtyerje të seancës u bë pikërisht në këtë seancë, rrjedhimisht nuk është njoftuar gjykata me kohë për një kërkesë të tillë”, tha gjyqtarja.
Ndryshe, përmes padisë së ushtruar më 13 nëntor 2017 paditësja Mimoza Kusari-Lila ka ushtruar padi për kompensimin e dëmit moral për shpifje dhe fyerje ndaj të paditurit Ardian Gjini.
Në padi thuhet se, i padituri Gjini më 2 tetor 2017 në emisionin “Magazina Lokale” në Klan Kosova kishte deklaruar duke aluduar se “znj. Mimoza Kusari-Lila i ka dhënë vetes leje 23 metra larg kullës “Sylejman Vokshi”, duke i futur kështu në borxh qytetarët e Gjakovës”.
Po ashtu, në padi thuhet se i padituri Gjini dhe më 24 tetor 2017 në emisionin “Rubikon” në KTV, i ka dhënë këto deklarata: “znj.Mimoza Kusari-Lila i ka dhënë tenderë bizneseve në të cilat është partner bashkëshorti, në këtë rast z.Arben Lila, duke shtuar këtu se nuk ka lënë gjë pa bërë për interesa personale.” Ka theksuar se bashkëshorti, pra “Arben Lila është partner në Fiberlink dhe në një diskotekë”.
Në padi thuhet po ashtu se në emisionin e njëjtë “Magazina Lokale” në Klan Kosova, i padituri Gjini ka deklaruar se: “Kryetarja e komunës, znj.Mimoza Kusari Lila ka shpronësuar tokat afër kullës “Sylejman Vokshi” për interesa personale dhe kësi soji ka zhvatur buxhetin e Komunës së Gjakovës për interes personal”.
Sipas padisë, pretendimet e të paditurit nuk qëndrojnë në asnjë rrethanë dhe në këtë rast bashkëshorti i paditëses Kusari-Lila, Arben Lila, nuk është as partner, as pronar i “Fiberlink”-ut, e në fakt i asnjë nga bizneset të cilët kanë fituar tenderë në Komunën e Gjakovës.
Po ashtu në padi thuhet se paditësja Kusari-Lila nuk ka pasur asnjë interes personal në shpronësimin e tokave përreth kullës “Sylejman Vokshi”, marrë parasysh se plani urbanistik për këtë pjesë është draftuar shumë kohë para se Kusari-Lila, t’iu shërbejë qytetarëve të Gjakovës.
Në padi kërkohet që i padituri të detyrohet që paditëses në emër të kompensimit të dëmit moral t’ia kompensojë shumën prej 9 mijë e 500 euro, me kamatë ligjore prej 8%, si dhe urdhërohet që i padituri t’i bëjë kërkimfalje publike lidhur me shpifjet që i ka bërë i padituri dhe t’i demantoi ato në tërësi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë më 10 qershor 2019 kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditëses Mimoza Kusari-Lila, ndërsa, Gjykata e Apelit lëndën e kishte kthyer në rigjykim, duke aprovuar si të bazuar ankesën e përfaqësuesit të të paditurit, duke prishur aktgjykimin e Themelores me arsyetimin se qëndrimi juridik i shkallës së parë është i gabuar.