Gjykata Speciale më në fund ka dhënë një sqarim lidhur me heqjen e kollares kuqe e zi të ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, gjatë seancës së të hënës.
Në përgjigje për insajderin zëdhënësi për media i ZPS-së, Michael Doyle ka deklaruar se ka qenë sigurimi i gjykatës që i ka kërkuar Krasniqit ta hiqte kollaren, për të kuptuar nëse është në kundërshtim me rregullat e paraburgimit.
Vetëm pastaj, thotë se shefi i sigurimit ka konfirmuar se lejohet bartja e krevatës.
“KSC dëshiron të bëjë një sqarim për ngjarjet e djeshme në lidhje me z. Krasniqi. Para seancës së djeshme, Sigurimi i KSC-së i kërkoi z. Krasniqi që t’ia hiqte kravatën duke kërkuar sqarime nga kryeshefi i paraburgimit nëse rregullat e paraburgimit që ndalojnë veshje të caktuara do të zbatoheshin në këtë rast”.
“Krevata i është kthyer z. Krasniqi dhe shefi i paraburgimit ka konfirmuar se bartja e kravatës është e lejuar”, ka deklaruar Doyle për Insajderin.
Kërkesa për largimin e kollares dhe reagimet që pasuan
Ani pse nuk ishte hera e parë që Jakup Krasniqi po e barte kollaren kuq-e-zi me me motive kombëtare, ai u detyrua që në seancën e së hënës ta largonte kollaren, e pastaj të merrte pjesë.
“Z. Krasniqi ka pasur një kollare sot në mëngjes dhe ia kanë hequr, këtë kollare e ka pasur veshur edhe më herët në seanca të gjyqit, a mund të dimë pse ia kanë hequr?” ka pyetur avokatja Alagendra.
Ndërkohë, kryegjyqtari Charles Smith iu përgjigj se “nuk e ka haberin” dhe se do të interesohet për këtë çështje, duke kërkuar më pas që të vazhdohet me dëshmitarin e radhës.
Avokatja gjithashtu tregoi se sigurimi e ka detyruar Krasniqi të heqë kollaren.
Pas kësaj pasuan reagimet e ashpra ndaj Speciales pas veprimit ndaj Krasniqit, reaguan vajza, nipi, avokatë, deputetë e pjesëtarë të OVL-UÇK-së.
Sot ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka kërkuar shpjegim nga kryetarja e Gjykatës Speciale për këtë veprim ndaj Krasniqit, duke theksuar se ky veprim ka ngritur shqetësim në Kosovë
Theksojmë se përveç Jakup Krasniqit edhe Nasim Haradinaj e kishte bartur të njëjtën kollare por që nuk i ishte kërkuar ta hiqte.