Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë në një përgjigje për median kanë thënë se Berlini zyrtar është për heqje te masave ndaj Kosovës. Megjithatë sqarojnë se janë vendet anëtare të BE që vendosin dhe se mbetet në duart e Qeverisë së Kosovës për të krijuar klimë të favorshme për të arritur konsensusin e nevojshëm në Këshillin Evropian.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, përmes raportit të tij të cilin e kishte dorëzuar tek shtetet anëtare të BE-së, kishte rekomanduar heqjen e masave për Kosovën. Megjithatë, përveç diskutimeve se disa shtete janë për heqje të plotë dhe disa jo, s’ka pasur ende asnjë lëvizje konkrete për heqjen e tyre.
Gjermania si një prej shteteve anëtare që është e përfshirë direkt në negociatat e Dialogut të Brukselit ka bërë publik qëndrimin e saj se është për heqjen e masave. Në një përgjigje për Gazetën Express nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kanë thënë se ambasadori Jorn Rohde e ka përsëritur që Gjermania mbështet heqjen e masave kundër Kosovës.
Megjithatë, nga Ambasada gjermane shtojnë se Rohde gjithashtu ka deklaruar se vendimi do të merret nga të gjitha shtetet anëtare dhe se mbetet në duart e Qeverisë së Kosovës për të krijuar një klimë të favorshme për sigurimin e një konsensusi të nevojshëm në Këshill për heqjen e masave.
“Ambasadori gjerman në Kosovë ka deklaruar vazhdimisht se Gjermania mbështet heqjen e masave ndaj Kosovës.
Megjithatë, ai gjithashtu theksoi se vendimi do të merret nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe nënvizoi qëndrimin e tij se është në duart e qeverisë kosovare të krijojë një klimë të favorshme që do të siguronte konsensusin e nevojshëm në Këshill për heqjen e masat”, ka thënë Christian Bottcher.
Ambasadori gjerman Rohde më herët teksa kishte folur për dështimin e takimit në mes kryeministrit të Republikës së Kosobës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, kishte thënë se ndonëse ky takim s’ka lidhje me masat, dështimi i tij s’krijon frymë pozitive.
Kosovës i janë vendosur masat në qershorin e vitit 2023 për shkak të veprimeve lidhur me zgjedhjet lokale në katër komunat veriore dhe dërgimin e kryetarëve nëpër objekte komunale në kundërshtim me këshillat e aleatëve.