Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se MM-ja sot shënoi një hap të rëndësishëm në aspektin e zhvillimin afatgjatë të Strategjisë së Menaxhimit të Sistemit të Mbrojtjes përmes Rregullores së nënshkruar për përcaktimin e procesit të Planifikimit, Programimit, Buxhetimit dhe Ekzekutimit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Ky dokument thelbësor për zhvillimin e kapaciteteve institucionale të mbrojtjes në një periudhë afatgjate, është hartuar pas një analize të detajuar ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, mbështetur nga Ambasada Amerikane përmes angazhimit të këshilltarit për PPBE, Joe Duncan në kuadër të Programit Global të Reformës së Mbrojtjes”.
“Rregullorja përveçse qartëson secilin hap nga planifikimi deri në ekzekutim të aktiviteteteve që mbështesin në mënyrë direkte zbatimin e Planit të Përgjithshëm të Tranzicionit, përcakton dhe përgjegjësitë, autoritetin vendimarrës, mënyrën e menaxhimit dhe koordinimin e monitorimin në MM dhe FSK”, ka thënë Maqedonci
Ndër tjera ai shtoi: “Përmes zbatimit të rregullores, procesi ciklik i PPBE-së do të jetë më efektiv e efikas në menaxhimin, shpërndarjen dhe përdorimin e burimeve të mbrojtjes që do të zbatohet në mënyrë rutinore, me qëllim të rritjes së aftësive në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, si aleat i vyer në të ardhmen i NATO-s. Unitet përpjekjesh për një ushtri në rritje!”.