Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti: Këtë vit do të plotësojmë kërkesën e brendshme për grurë

 
   

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shpallë datën 11 korrik, Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë. Ekzekutivi që mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave nga ky gjenocid mori një sërë vendimesh në mbledhjen e së mërkurës. Qeveria emëroi një pjesë të bordit të ndërmarrjes “Trepça”, ndërkaq mori vendim për fillimin e procedurave të tenderimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga era dhe për dhënien e mbështetjes për kapacitete deri në 150 megavat. Krahas kësaj, ekzekutivi ndau mbi 21 milionë euro dëmshpërblim kompanisë amerikane “Contour Global”, pas humbjes në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për mosrespektim të kontratës.

Kryeministri Albin Kurti, tha se shpallja e datës 11 korrik, si ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë është një veprim fisnik dhe i duhur që mos të harrohet e përsëritet asnjëherë gjenocidi as në Bosnjë dhe Hercegovinë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë.

Kurti: Ky është një veprim i fisnik dhe i duhur që mos të harrohet asnjëherë gjenocidi në Sebrenicë

“Këtë vit, shënojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kujtojmë masakrat e kryera në vendin tonë nga Serbia, por edhe përkujtojmë të gjitha viktimat e luftërave të viteve të 90-ta në Ballkan. Përkujtojmë me dhembje 8372 burrat e djemtë e Srebrenicës, të vrarë dhe të zhdukur nga Serbia, në masakrën më të madhe të ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Fundjavën që lamë pas pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë, kadetë e veteranë të Akademisë Ushtarake në Beograd, parakaluan në një paradë në Prijedor, pa leje e pa pëlqim të shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, vetëm katër ditë para shënimit të përvjetorit të masakrës së Srebrenicës. Ndërkaq ne sot po i bashkohemi memorializimit të 11 korrikut si ditë e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, bazuar edhe në rezolutën që kemi miratuar në Kuvendin e Kosovës, që dënon gjenocidin në Srebrenicë, në rezolutën përkatëse të Parlamentit Evropian, e në vijim të rezolutës që u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 23 maj sivjet. Ky është veprim fisnik e i duhur, në emër të Kosovës, të universales sonë njerëzore, e të dëshirës sonë për drejtësi dhe paqe. Që të mos harrohet e të mos përsëritet më gjenocidi, as në Bosnjë dhe Hercegovinë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë”, tha Kurti.

Para kabinetit qeveritar, Kurti u mburr edhe për punën e ekzekutivit në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024. Duke folur për rendimentin e grurit gjatë këtij viti, ai tha se pritjet janë që prodhimi i grurit të shtohet për 150 mijë ton. Kjo sipas tij do të plotësojë kërkesën e brendshme për konsum, pa pasur nevojë për import.

Kurti: Këtë vit do të plotësojmë kërkesën e brendshme për grurë

“Kjo është mbledhja e parë e gjashtëmujorit të dytë të vitit. Po punojmë përditë siç e jetoni dhe përjetoni ju ditën tuaj në fushëveprimtarinë tuaj anë e mbanë Kosovës. Vetëm në gjysmën e parë të kësaj dite, me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia përuruam rinovimet 1.2 milionëshe në Klinikën e Urologjisë e cila ka qenë një prej klinikave me gjendjen më të keqe e në të cilën nuk ishte investuar që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Pastaj, me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci ishim në Malishevë për korrje-shirje te bujku Osman Kryeziu, i cili djerrinën me 260 metra kub gurë e ka kthyer në 8 hektarë arë me grurë. Rendimenti këtë vit po duket të jetë i lartë. Pritjet tona janë që prodhimi i grurit të shtohet edhe për 140 mijë deri në 150 mijë tonë grurë, që do të thotë se do të mund të plotësojmë kërkesën e brendshme për konsum, pa pasur nevojë të importojmë apo të varemi nga importi”, tha Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese nga era do të shton kapacitete energjetike deri në 150 megavat.

Sipas saj ky projekt do t’i përmbahet të gjitha standardeve ndërkombëtare.

Rizvanolli: Ky projekt për ndërtimin e kapaciteteve të erës do t’i përmbahet standardeve ndërkombëtare

“Ky projekt për ndërtimin e kapaciteteve të erës do t’i përmbahet standardeve ndërkombëtare mjedisore dhe sociale. Në këtë mënyrë parashikohet që projekti të projektohet, ndërtohet dhe mirëmbahen në përputhje me legjislacionin në fuqi për çështjet mjedisore dhe sociale dhe në bazë të praktikave ndërkombëtare”, tha ajo.

Krahas këtyre, qeveria miratoi edhe rregulloren e re për procedurat e përzgjedhjes së drejtorëve, zëvendësdrejtorëve, mësimdhënësve, sekretarëve në institucionet edukativo-arsimore në tërë territorin e Kosovës.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se kjo rregullore do të krijojë një sistem efikas për rekrutimin e këtyre pozitave.

Nagavci: Rregullorja synon të krijojë një sistem të mirëfilltë edhe efikas për rekrutimin e të gjitha pozitave

“Rregullorja synon të krijojë një sistem të mirëfilltë edhe efikas për rekrutimin e të gjitha pozitave në institucionet e edukative-arsimore në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Po ashtu synon të përmirësojë sistemin aktual të rekrutimit, duke iu përgjigjur më mirë kërkesave të shkollave”, shtoi Nagavci.

Në mbledhjen e sotme ekzekutivi miratoi vendimin edhe për emërimin e një pjese të Bordit Mbikëqyrës të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Trepça”. Kryesues u emërua Mentor Berisha dhe katër anëtarë, Merita Gashi, Sadie Gashi, Alban Krasniqi dhe Fadil Bejta, teksa u premtua se së shpejti do të hapet konkursi për katër anëtarët e tjerë të këtij bordi.

Sipas shefit të Qeverisë, do ta qartësojnë çështjen e përfaqësimit të punëtorëve në bord në përputhje me ligjin. Ndërkohë, do të hapet konkursi për anëtarët tjerë, ku inkurajojë aplikimin sidomos të pakicave.

Gjithashtu, qeveria i dha dritën e gjelbër vendimin për shpronësime që preken nga realizimi te Kompleksi Memorial në Reçak si dhe për zgjerimin e rrugës nacionale Kijevë-Zahaq.

Ndërkaq, emëruan Rrustem Thaçin, kryetar të komisionit për kompensimin e viktimave të krimit.