Misioni i OSBE-së në Kosovë është i shqetësuar për disa aspekte të miratimit të sotëm nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit të ri për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), duke përkujtuar se shumica e rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë për të drejtën e medias nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar.
Rekomandimet kryesore të ekspertëve të cilat nuk janë marrë parasysh kanë reflektuar shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit. Rekomandimet për rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore gjithashtu nuk janë marrë parasysh, thuhet në reagim.
OSBE thotë se zgjerimi i juridiksionit të KPM-së në mediat sociale, i shoqëruar me mungesën e kritereve të qarta për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, ngre shqetësime për proporcionalitetin dhe ka implikime të mundshme për lirinë e shprehjes.
Për më tepër, OSBE përkujton se ligjit ende i mungojnë mekanizmat efektivë të vetërregullimit teksa rregulloret në lidhje me pronësinë dhe përqendrimin e medias kanë mungesë të qëndrueshmërisë procedurale.
“Do të jetë e rëndësishme që ligji i miratuar tani të jetë objekt i një shqyrtimi gjithëpërfshirës, gjatë të cilit duhet të kërkohen pikëpamjet e ekspertëve kosovarë dhe ndërkombëtarë. Ndërkohë ne jemi të gatshëm si kurrë për të mbështetur KPM-në me këshilla të ekspertëve dhe ngritjen e kapaciteteve”, thotë OSBE.
Ndryshe, ekspertët ndërkombëtarë dhanë komentet dhe rekomandimet e tyre në përpjekje për të siguruar që ligji i ri për KPM-në jo vetëm që do të pasqyronte standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, por gjithashtu do të ishte i përshtatshëm për qëllimin, si dhe do të forconte Komisionin e Pavarur të Mediave dhe do të ruante pavarësinë shumë të rëndësishme të këtij organi.
Ndaj miratimit të ligjit të ri për KPM-në ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke thënë se partia në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtët e shoqërisë civile e mediave, dhe ka shpërfillur raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës që ka konstatuar se pjesa më e madhe e ligjit nuk i përmbush standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës, gjë e cila u konstatua sot para votimit edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
AGK bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit.
Ligji i ri i miratuar nga Kuvendi sot parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio e video materiale.