Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Osmani jep detaje nga takimet e saj me Biden e Macron

 
   

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Uashington me rastin e Samitit të NATO-s, pati mundësinë të bisedojë me aleatët tonë për çështje të rëndësishme.

Në një intervistë për Info Magazine të Klan Kosova, Osmani u shpreh se ajo nuk bisedon me partnerët kryesorë të Kosovës vetëm për dialogun me Serbinë, pasi kjo nuk bie në interes me vendin tonë, pasi që Kosova duhet të bëjë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm.

Një falënderim i veçantë shkon për Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit të cilët mundësuan që Kosova të jetë pjesë e këtij Samiti të NATO-s, dhe dhanë një mesazh se rruga jonë drejt NATO-s është e pashmangshme, NATO është fati ynë dhe ne vërtetë e kemi vendin aty, e meritojmë qysh tani por si e dini janë pengesat e pesë shteteve mos njohëse ndaj Kosovës. Synimi im si presidente e Republikës së Kosovës gjatë këtyre tri viteve ka qenë që të mos e reduktojmë raportin tonë bilateral me aleatët tanë kryesor vetëm në çështjen e dialogut me Serbinë, kjo nuk është në interesin tonë. Nëse flasim me aleatët tonë vetëm për dialogun me Serbinë, ne nuk mund të hedhim hapa të tjerë të rëndësishëm”, tha Osmani.

Ndër të tjera, presidentja Osmani u shpreh se Kosova duhet të jep mesazhin, se pavarësisht se çfarë do të bëjë dhe bën Serbia, ne mbesim shtet i pavarur e sovran dhe të tillë do të mbetemi përherë.

“Duhet ta japim mesazhin se pavarësisht se çfarë bën Serbia, Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe i tillë do të mbetet përherë. Nëse Serbia vazhdon me kundërshtim, me akte agresive, ne duhet ta ndërtojmë marrëdhënien me shtetet mike në aso mënyre që Kosova pranon koncesione, të kemi garancione të qarta të sigurisë, përkrahje të fuqishme për anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtarë kur Rusia nuk ka veto dhe të riaktualizohet fushata e njohjeve”. tha e para e vendit.

Ndër të tjera, Osmani u shpreh se ishte kërkesë e veçantë e presidentit amerikan Joe Biden që shtetet anëtare të NATO-s ta rrisin përkushtimin në raport me misionin e NATO-s në Kosovë.

Ka qenë kërkesë personale e Biden, që shtetet anëtare të NATO-s, ta rrisin përkushtimin në raport me misionin e NATO-s në Kosovë, në mënyrë që të mbrohet paqja, siguria dhe demokracia. Ua siguroj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi e kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për ta mbrojtur Republikën e Kosovës në kufijtë e saj aktual”, ka theksuar Osmani.

Osmani është shprehur se homologu i saj francez Emmanuel Macron gjatë bisedës në Uashington, kishte një qasje pozitive dhe përkrahëse për Kosovën, por sipassaj, ka ende nevojë për bisedime që të gjendet rruga më e mirë përpara.

“Kishim një bisedë shumë substanciale me presidentin Macron, i cili u interesua jo vetëm për zhvillimet në kontekstin ndërkombëtar, por për të gjitha reformat të cilat po bëhen në Kosovë nga fusha e sundimit të ligjit te reformat ekonomike, te çështja e sistemit të drejtësisë, dhe shumë tema të tjera, për të cilat pata mundësinë ta njoftoj në detaje. Diskutuam edhe për organizata ndërkombëtare, në veçanti për Këshillin e Evropës. Ne do ta vazhdojmë diskutimin me presidentin Macron pas përafërsisht pesë ditësh, ku unë udhëtoj për në Mbretërinë e Bashkuar. Presidenti Macron kishte një qasje pozitive dhe përkrahëse për Kosovën, por ka ende nevojë që të vazhdohen bisedat të gjejmë rrugën më të mirë përpara”, tha Osmani.